Aktualitet

Buxheti 2024/ Mbështetje me bursa për 3600 nxënës të arsimit parauniversitar!

Mbi 3600 nxënës të familjeve në nevojë do të mbështeten me bursa në arsimin parauniversitar, me buxhetin e vitit 2024.

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Arsimit, me buxhetin e vitit të ardhshëm, që u miratua këtë të enjte në Kuvend, do të përmbyllen rreth 30 objekte shkollore dhe do të hapen kantiere të reja në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër, për herë të parë do të aplikohet programi i mësuesve të dispozicionit dhe përforcimit. Do të krijohen klasa mbështetëse për rritjen e nivelit të nxënësve me rezultate jo të larta, u shpreh ministrja Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në shkollën e re 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Paskuqan.

 Ne jemi duke nisur një program të ri, programin e përforcimit dhe të dispozicionit në shkolla, i cili do të pilotohet në 30 shkolla në të gjithë vendin. do të jenë më shumë se 80 mësues, të cilët do të angazhohen në territor dhe do të kenë mundësi të mbështesin nxënësit që kanë rezultate jo të larta, nëpërmjet programit të përforcimit.

“Buxheti 2024”, është miratuar sot në një seancë të pazakontë plenare me 74 vota pro, 4 kundër dhe asnjë abstenim.

Deputetët e opozitës grumbulluan karriget rreth foltores, mes përplasjes me Gardën, ndezën sërish tymuese me ngjyra, ndërsa u dëgjuan edhe shpërthime në sallë.

Mes përplasjes së tavolinave dhe thirrjeve “Turp, turp”, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka miratuar nen për nen “Buxhetin 2024”.

 Fatkeqësisht opozita vazhdon në rrugën e paligjshmërisë, por fati i një njeriu nuk mund të jetë fati i shqiptarëve, shqiptarët duan votimin e buxhetit për investime, për rritjen e pagave, për shërbime më cilësore, nuk mund ta merrni peng kuvendin”, tha Nikolla.

Deputeti demokrat, Asllan Dogjani u përjashtua nga seanca, pas ndezjes së tymueses.

Garda e Republikës ishte vendosur në gatishmëri për të siguruar mbajtjen e rregullit gjatë seancës së sotme në Kuvend, ku pritej të miratohej nen për nen buxheti për vitin 2024.