Aktualitet Bota Politikë

Në prag të samitit në Tiranë, reagon Zelensky: Vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në prag të samitit që do të zhvillohet në Tiranë në datat 28-29 shkurt, ka falënderuar Shqipërinë për solidaritetin me Ukrainën.

“Faleminderit për fjalët tuaja të mira dhe solidaritetin e palëkundur me Ukrainën, Bajram Begaj”, shkroi ai.

“Ne vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë dhe presim me padurim sigurimin e një të ardhmeje paqësore evropiane si për vendet tona ashtu edhe për Europën në tërësi”, shtoi Zelensky në X, ndërsa ka ndarë postimin e Begajt.

Begaj, dje me rastin e shënimit të dyvjetorit të luftës Rusi-Ukrainë shkruante: “Dy vjet pas agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë të Rusisë kundër Ukrainës, ne qëndrojmë me frikë nga lufta e guximshme e popullit ukrainas për liri, dinjitet dhe sovranitet. Ne mbetemi aleatë të palëkundur të Ukrainës, duke mbrojtur së bashku këto parime universale”, shkroi presidenti shqiptar në X.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Tiranën më 27 shkurt dhe bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama do të organizojnë samitin për Ukrainën, që mbahet një ditë më pas.

Kryeministri Edi Rama, që ishte i pranishëm në Qendrën për Hapje dhe Dialog ku u hap ekspozita me 50 fotografi e titulluar “Ukraina, një krim lufte”, foli për rëndësinë e vizitës së udhëheqësit ukrainas dhe të samitit, ku do të marrin pjesë liderë të Evropës Juglindore.

Rama tha se Shqipëria qëndron përkrah me Ukrainën, shtet që për pothuajse dy vjet po përballet me pushtimin e paprovokuar që nisi presidenti rus, Vladimir Putin.

Rama tha se Shqipëria, së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja dhe të ndërtojnë së bashku një të ardhme ku çdo vend dhe çdo popull dhe çdo individ ka të drejtën e lirisë, edhe Ukraina ka të drejtën të jetojë si shtet i barabartë.