Aktualitet Fol

Cila është vështirësia më e madhe që ndeshin gjykatat dhe gjyqtarët për shqyrtimin e çështjeve të pensioneve?

Në episodin e gjashtë të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” është trajtuar çështja e pensioneve. Në kërkim të dëshmitarëve dhe të çdo prove që vërteton vitet e punës, të moshuarit pa pension po përballen po ashtu edhe me stokun e dosjeve. Për të folur për pensionet, paditë, fluksin, atë që quhet ndryshe si ‘backlog’-u i ftuar ka qenë edhe gjyqtari Ardian Dvorani, i cili trajtoi me detaje dhe shpegoi gjithçka rreth çështjeve dhe problematikave që përballen sot qytetarët.

Cila është vështirësia më e madhe që ndeshin gjykatat dhe gjyqtarët për shqyrtimin e këtyre çështjeve?

Pensionistët përpiqen në varësi të  rrethanave të tyre që të kenë edhe  mbrojtjen e tyre me avokatë sepse në fund të fundit ata janë njerëz që lexojnë edhe përpiqen ta mbrojnë vetë veten e tyre,  por duhet thënë që gjykimi është edhe procedurë. Nuk është vetëm e drejta. Pra, ti mund të kesh të drejtë por duhet të dish ta kërkosh, duhet të dish ku ta kërkosh, në cilën gjykatë, kur ta kërkosh në gjykatë dhe mënyrën si ta kërkosh. Vështirësia tashmë ekziston sepse është dhënë një përgjigje negative  për të drejtën e pensionit sepse i thonë që ke mangësi në dokumentacion. Po ku do ta gjej dokumentacionin? Kur dokumentacionin as e ka për detyrë dhe as ka mundësi ta mbajë individi, pensionisti, ai që pretendon të drejtën e pensionit. Dokumentacionin e  ka shteti.

Sa kohë do të duhet që stoku prej 22.000 çështje të marrë vendime gjyqësore?

Unë mendoj që propozimet tona janë propozimet e duhura, do të ketë edhe paketa të tjera që grupi i ekspertëve aty, janë gjyqtarë që po punojnë bashkë me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe me ekspertë të huaj. Ne kemi edhe propozime të tjera të cilat janë duke punuar por ato që janë çuar tashmë në parlament disa prej tyre janë ato masa që janë më të thjeshta kanë një impakt të menjëhershëm pozitiv dhe brenda pak muajsh do ta kthejnë situatën nga trendi negativ në pozitiv menjëherë. Por dua të them nqs. ligjvënësi do ta vlerësojë që këto nuk janë masat e duhura unë mund të them qysh tani që gjyqtarët do të bëjnë detyrën, do të jenë prapë të mbingarkuar ashtu siç më ndodh edhe mua bashkë me kolegët fillojmë seancat në 8:30, mbarojmë në orën 16:00 pa pushim. Nëse ligjvënësi nuk vlerëson të marri masat nuk ka asnjë pritshmëri që ‘backlog’-u të ulet e them me keqardhje por është e pamundur objektivisht. Tani është momenti që ligjvënësi t’i përgjigjet sistemit, pra duke i dhënë mjete legjislative, burimet njerëzore dhe disa mjete financiare dhe infrastrukturë që kjo çështje të përmirësohet. Në fund të fundit sikurse ne ndjejmë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri para përdoruesve të gjykatave, palëve që ti zgjidhim çështjet sigurisht duke dhënë drejtësi por sa më shpejt këtë përgjegjësi ndaj publikut duhet ta ketë ligjvënësi dhe ekzekutivi. Në qoftëse se jo,  duhet të japin ata llogari njerëzve dhe nuk mund të shtrijnë gishtin nga gjyqtarët. Pra, ne do bëjmë detyrën tonë, ata duhet të bëjnë detyrën e tyre. Dhe dua që parlamenti dhe më pas qeveria të përgjigjen menjëherë kësaj situate duke na mbështetur. Ne kërkojmë vetëm mbështetje. Punën tjetër do e bëjmë ne. Ata duhet të na japin këto mjete dhe e fundit që do të thoja që këto nismat tona janë të konsultuara me ekspertë ndërkombëtarë dhe ne jemi në kontakte si grup pune, si Komiteti i ‘backlog’-ut edhe me institucione ndërkombëtare dhe mesa kam kuptuar ata janë shumë dakord me nismat tona.