Bota

Çmimet e larta të energjisë, fokusi i takimit në Bruksel të ministrave të BE-së!

Ministrat e Energjisë të vendeve të Bashkimit Europian, sot takohen në Pragë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët lidhur me trajtimin e çmimeve të larta të energjisë. Thirrjet për një zgjidhje në mbarë Unionin u intensifikuan pasi Gjermania u kritikua për shpalljen e një pakete të subvencionimit të gazit me vlerë deri në 200 miliardë euro, por planet për kufizimin e çmimeve ndryshojnë shumë në të gjithë Bllokun.

Propozimet e paraqitura gjatë javëve të fundit përfshijnë blerjen e gazit, kufizimin e çmimit të importeve të gazit rus, kufizimin e çmimit të transaksioneve të gazit brenda Bllokut dhe vendosjen e një tavani në çmimin e gazit të përdorur për prodhimin e energjisë elektrike.

Gjermania mbetet skeptike ndaj masave që ndërhyjnë drejtpërdrejt në çmimin e gazit dhe kërkon të bëjë progres në blerjet e përbashkëta. Të tjera vende, përfshirë Francën, Belgjikën e Italinë, po bëjnë thirrje për vendosjen e një kufiri të çmimit të gazit. Tashmë, Spanja dhe Portugalia po subvencionojnë koston e gazit të përdorur për të prodhuar energji elektrike për të ulur çmimet për konsumatorët dhe bizneset, një masë kjo që është pranuar edhe nga vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian.

Po ashtu, Ministrat e Energjisë pritet të diskutojnë reformimin e tregut të energjisë elektrike dhe mënyrat si mund të financohen planet për vendosjen e një çmimi të gazit në mbarë Bashkimin Europian.

Disa vende duan të frymëzohen nga masat për të përballuar pandeminë e COVID-19/ës, gjatë të cilës vendet anëtare të BE-së morën borxhe të përbashkëta ose ofruan garanci po të përbashkëta për kreditë kombëtare.

Ndërkohë, nuk janë të vetmet bisedimet e Republikës Çeke, vendit që ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian në këtë 6-mujor të dytë të vitit.  Udhëheqësit e BE-së pritet të vazhdojnë diskutimin për financimin në një samit që do të zhvillohet në Bruksel, javën e ardhshme.