Art & Kulturë

“Days of Reading” nga Marcel Proust. Për atë që është i aftë të bëjë një libër. Kritikë.

Në një përmbledhje esesh frymëzuese mbi arsyet pse lexojmë, Proust-i shqyrton kënaqësitë dhe sprovat që ndërmarrim prej leximit të librave, duke shpjeguar bukurinë e Ruskin-it (John Ruskin, poet, filozof, kritik arti i erës Viktoriane lindur në Londër më 1819. Ruskin shkroi libra për mitet, arkitekturën, letërsinë dhe botanikën ndër të tjera) dhe veprave të tij, si edhe kënaqësinë e veçantë e përhumbjes në libra gjatë fëmijërisë. Përgjatë historisë disa libra kanë ndryshuar botën, përmes transformimit të unit dhe mënyrës si e shohim veten dhe tjetrin. Kanë frymëzuar debat, ndasi, luftë e revolucion. Kanë përndritur, përflakur, provokuar dhe ngushëlluar. Njëkohësisht pasuruar dhe shkaterruar jetë tona. Ky botim i Penguin është pjesë e një kolane me botime të mendimtarëve të mëdhenj, pionerve, radikalëve e vizionarëve, idetë e të cilëve shkundën themelet e civilizimit dhe na ndihmuan të bëhemi kjo që jemi.

Marcel Proust ngjizi “Journées de Lecture” (Ditë leximi) si një parathënie e përkthimit që i bëri “Sesame and Lillies” nga John Ruskin. Në atë kohë gjiganti francez i librit nuk e kishte botuar ende romanin e tij, por zbulimi i kritikut të famshëm të artit në epokën e romanticizmit ishte një gur kilometrik për të. Edhe pse admirimi i Ruskin ishte tejet i veçantë, Proust shpesh nuk bie dakord me të, si në rastin e sintezës së Ruskin se të lexuarit është një bisedë me të urtët. Sipas Proust, Arti në fakt nuk është didaktik, por stimulues. Ai nuk të udhëzon por të frymëzon. Kënaqësia e të lexuarit është tek aftësia e librit për të na bërë ta shohim veten në pasqyrë, duke u munduar të zgjidhim gjëegjëzat e jetës.

Proust shkruan:

Nuk ka ditë fëmijërie që ti kemi jetuar më plot sesa ato me një libër që donim shumë ndër duar.

Marcel Proust ka shkruar për fëmijërinë si pak të tjerë duke evokuar kompleksitetin dhe vulnerabilitetin e saj. Një libër për të është jo një bisedë me të ngriturit e vendit, sesa me veten tënde. Ka një ndryshim të madh mes ‘bisedes’ me librin dhe një miku të zgjuar shkruan ai.

Të lexuarit ndryshe nga bisedat, na vendos ne në një plan ku komunikojmë me një mendim tjetër, duke qëndruar vetëm; pra me fuqinë mendore e të qënit në vetmi, fuqi e cila dobësohet kur je ballë dikujt, ne komunikojmë me një ide duke qëndruar të hapur për frymëzim.

John Ruskin pretendon se njeriu nuk duhet të harxhojë kohë duke lexuar libra të pavlerë, por harron që të lexuarit në vete është kënaqësi. Dhe nëse kënaqësitë nuk i marrim shumë seriozisht rrezikojmë të humbasim spontanitetin.

Ka lloje soje lexuesish po aq sa lloje sojet e librave. Eseja e Marcel Proust “Days of Reading” ka një aftësi për t’iu sjellë në mendje kujtimet më të vyera të fëmijërisë dhe magjepsjen karshi librave. Proust kujton fëmijërinë e tij me një përkujdesje për çdo gjë që e rrethon. Gërshetimi i kujtimeve dhe fantazisë që ngriheshin jo prej faqeve të librave por rreth tyre janë si rrënjët e ngatërruara të një peme kajsie, ëmbëlsia e frutave të së cilës varet pikërisht prej së shkuarës së atyre rrënjëve.

Marcel Proust lindi në Auteull në 1871. I ati ishte profesor mjekësie, katolik, e ëma hebreje; elementë këto që do të luanin një rol të rëndësishëm në jetën dhe veprën e tij. Vitet e shkollës ai konsiderohej briliant nga mësuesit dhe bashkëkohësit. Qysh në të njëzetat e tij u kthye në një nga figurat më të rëndësishme të rrathëve shoqërorë intelektualë të Parisist. Në moshën 29 vjeçare mbas vdekjes së prindërve dhe problemeve me astmën ai u tërhoq në izolim të plotë në apartamentin e tij në bulevardin Housmann në kryeqytetin francez. Ai ndërroi jetë në 1922, përpara publikimit të veprës më të rëndësishme të tij: “Në kërkim të kohës së humbur” që konsiderohet një nga botimet më ndikuese e të rëndësishme të shekullit të XX.

Vetëm në përfundim të librit nis puna e vërtetë për lexuesin. Sepse thesaret e vërteta që fshihen në libra janë në fakt katalizatorë të zbulimit të vetes jashtë atyre faqeve. Një libër i mirë mund dhe duhet ta bëjë këtë. Sepse librat nuk janë arratisje nga realiteti. Më shumë se na japin përgjigje, provokojnë dhe frymëzojnë lexuesin. Kjo është vlera e tyre e pashlyeshme.