Health & Beauty Lifestyle Vitality Vibes | News

Dëmtim i kyçeve tek shqiptarët, ja cili është rasti më i shpeshtë sipas kirurgut Dritan Todhe!

Bashkëpunim me mjekë të njohur dhe personazhe të njohur të cilët kanë pasur eksperienca sëmundjesh. “Vitality Vibes” ka si synim informimin e publikut mbi të rejat në fushën e mjekësisë, kërkimet, teknologjitë e reja dhe gjithçka tjetër. Çdo javë emisioni trajton një patologji të ndryshme, ku flasin njerëzit rreth një sëmundje, sqarohet si nisen simptomat e para dhe ndjesitë e tij. I ftuar në episodin e kësaj të shtune ka qenë Dritan Todhe, kirurg dhe ortoped. Kjo dyshe nuk është e re për dëgjuesit e Top Albania Radio, pasi Ilvi dhe Dritani kanë qenë dyshja e parë që kanë hapur emisionin e parë kushtuar shëndetit disa vite më parë. Këtë herë, ato do të na flasin më shumë për një shqetësimin që po shtohet dita-ditës për shumë pacientë, sidomos tani që po ndërrohet edhe koha. Bëhet fjalë pikërisht për dhimbjen e kockave.

Artroza është një sëmundje e kyçeve, që bën pjesë në sëmundjet reumatizmale. Këto sëmundje shkaktohen nga dëmtime në nivelin e kërceve të kyçeve. Kërci i kyçit shërben si amortizues, që eviton fërkimet e kockave me njëra-tjetrën. Si pasojë e mbingarkesave të zgjatura gjatë disa viteve ose të pranisë së disa sëmundjeve, qelizat kërcore shkatërrohen dhe mund të nekrotizohen (vdesin). Pjesa më e madhe e njerëzve, gjatë jetës së tyre, vuajnë nga dhimbje në një ose disa kyçe. Dritan Todhe u shpreh:

Më intrigon tema që ke zgjedhur për artrozën. Është njëtemë shumë e ditës. Është një temë e cila e gjen sot në nivele të ndryshme popullate. Popullatën e gjeneratës së tretë dhe asaj të katërt, por edhe në gjenerata më të hershme, në të rinjtë. Të flasësh për artrozën është një temë realisht e gjërë, e gjatë, me shumë këndvështrime të ndryshme. Sigurisht, artrozat janë dëmtime të pariparueshme, të parikthyeshme të kyçeve. Janë sëmundje që zhvillohen nga elementë dhe faktorë të ndryshëm. Mund të jenë  traumatik apo sëmundje tjetër që shndërrojnë një kyç në një kyç jofunksional. Kyçi është i dhimbur, është i kufizuar në lëvizje dhe shpeshherë është i enjtur dhe nuk e kryen funksionin siç duhet.

Kush janë kyçet që preken shumë, sipas eksperiencës së tij 20-vjeçare në këtë fushë?

Në popullsi të ndryshme ose në popuj të ndryshëm është e ndryshme kjo gjë. Kjo varet pak edhe nga kodi gjenetik që ka një popullatë e caktuar, por edhe nga sëmundjet e ndryshme që përfshijnë një popullatë të caktuar. Në popullin tonë historikisht, madje ka shumë nga ata që e dinë, problemi më i lakuar ose më i trajtuar është koksartroza. Pra është dëmtimi i pariparueshëm, i pakthyeshëm i rrëzës së kofshës apo i këllkut. Ka popuj të tjerë, të cilët duke vuajtur nga sëmundje më tepër nga ne, kanë më tepër problematika me gjunjët. Por problemi gjithmonë rrotullohet tek kyçet mbështetëse.