Aktualitet Politikë

“Detyrim për paraqitje”/ Gjykata liroi katër protestuesit e opozitës, reagon Gazment Bardhi!

Katër protestuesit e arrestuar më 20 shkurt në Tiranë lidhur me protestën e opozitës para Kryeministrisë, sot dolën gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Gjykata i liroi duke i lënë në detyrim për paraqitje. Kindi Toli, Andrea Malia, Bledar Kola e Ismet Stefani u ndaluan për shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës dhe përdorim të lëndëve piroteknike.

Gazment Bardhi reagoi në një prononcim për mediat pas lirimit të katër protestuesve, për të cilët u shpreh se “u mbajtën peng nga regjimi i Edi Ramës”.

Gjykata dhe prokuroria vërtetuan sot se Andrea, Kindi, Bledari dhe Ismeti ishin për rreth dy ditë, të marrë peng nga Policia e Shtetit si të arrestuar, të burgosur politik të regjimit të Edi Ramës.

Dua të denoncoj me forcë dhunën vandale që kanë ushtruar punonjës policie ndaj këtyre protestuesve, të marrë peng për rreth dy ditë. Secili prej punonjësve të policisë është i identifikuar me emër dhe mbiemër. Ndaj tyre është bërë kallëzim penal gjatë ditës së djeshme dhe një ankesë pranë AMP. Por, unë dua që secilit prej tyre t’i bëj një paralajmërim publik se dhuna jashtë asaj që lejon ligji është akt personal dhe merr pasoja personale.

Çdo punonjës i veshur me uniformën e policisë duhet të zbatojë ligjin dhe të respektojë të drejtat e njeriut. E përsëris se secili prej tyre është identifikuar dhe do të mbajë përgjegjësi penale, sikundër do të mbajnë edhe përgjegjësi personale.

Dua të përshëndes vendimin e gjykatës që i la të lirë katër protestuesit. Asnjë prej tyre nuk ka shkelur ligjin.