Aktualitet

Djegia e makinës së biznesmenit të hidrokarbureve në Lezhë, policia zbardh shkakun!

Policia ka zbardhur arsyen e djegies së makinës së biznesmenit të hidrokarbureve, gjatë orëve të para të mëngjesit, ku sipas tyre ka pasur probleme teknike të automjetit.

Makina tip “Benz” e Ndue Pjetrushit është përfshirë nga flakët gjatë kohës që ishte e parkuar përpara shtëpisë së tij në Lezhë.

Ka qenë vetë biznesmeni, që kryen transport hidrokarburesh Shqipëri-Kosovë, i cili pasi ka dëgjuar zhurmën, ka kuptuar se makina e tij ishte përfshirë nga flaket.

Pas hetimeve të kryera nga organet kompetente, ka rezultuar se djegia e automjetit nuk është shkaktuar nga faktorë të jashtëm, por nga probleme teknike.

Për këtë arsye ngjarja është klasifikuar aksidentale dhe materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë për vlerësim.

Pranë shtëpisë ndodheshin kamera sigurie por 56-vjeçari ka deklaruar që prej disa ditësh, kanë pasur probleme dhe i ka dërguar për riparim. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte dhe nuk ka pasur dyshime në lidhje me ngjarjen.

Njoftimi policisë:

Lezhë / Zbardhet shkaku i djegies së automjetit të shtetasit N. P.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, është marrë njoftim se në Ishull Shëngjin po digjej automjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit N. P., 56 vjeç, të cilin ky shtetas e kishte parkuar në rrugë, në afërsi të banesës.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe në bashkëpunim me ekspertë të MZSH Lezhë, ka kryer veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, bazuar dhe në ekspertimin piroteknik të kryer, ka rezultuar se djegia e automjetit nuk është shkaktuar nga faktorë të jashtëm, por nga probleme teknike të automjetit.

Për këtë arsye ngjarja është klasifikuar aksidentale. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për vlerësim.