Bota

Draft-rezolutë amerikane, kërkohet armëpushim i menjëhershëm në Gaza!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vënë në lëvizje një draft-rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për “armëpushim të menjëhershëm të lidhur me lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës”. Kjo u tha nga tha sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Diplomati amerikan e bëri njoftimin gjatë turit aktual në Lindjen e Mesme, që përfshin edhe një ndalesë në Izrael.

Amerika, aleate kyçe e Izraelit, më herët ka vënë veto në Këshillin e Sigurimit për rezolutat lidhur me Gazën. Rasti i fundit ishte në muajin shkurt, kur Uashingtoni kundërshtoi përdorimin e fjalës “menjëhershëm” në dokumentin e dorëzuar nga Algjeria. Por, javët e fundit, Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Izraelit teksa këmbëngul që Hamasi të lirojë menjëherë pengjet e marra gjatë sulmit në jug të Izraelit, më 7 tetor. Gjatë një vizite në Arabinë Saudite, Blinken u shpreh:

Në fakt, ne kemi një rezolutë që e kemi dërguar para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm, por të lidhur me lirimin e pengjeve dhe shpresojmë që çdo shtet ta mbështetë atë. Unë mendoj se do të dërgonte një mesazh të fortë, një sinjal të fortë.

Sigurisht, ne qëndrojmë me Izraelin në të drejtën e tij për të mbrojtur veten, por në të njëjtën kohë është imperative që të përqëndrohemi te civilët që gjenden në zona të luftimeve dhe të cilët po vuajnë në mënyrë të tmerrshme. Le t’i bëjmë prioritet, pra mbrojtjen e civilëve dhe dërgimin e ndihmës humanitare.

Zyrtarët amerikanë kanë negociuar për një tekst alternativ të rezolutës që kur bllokuan draft-rezolutën algjeriane që bënte thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm në Gaza”.

Ajo alternativë që përqendrohej në mbështetjen e një armëpushimi gjashtëjavor në këmbim të lirimit të pengjeve, kishte pak shanse të kalonte, thanë burimet diplomatike, sipas AFP-së. Kjo agjenci e lajmeve ka parë një version të ri të tekstit ku theksohet “nevoja për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për të mbrojtur civilët, lejimi i ndihmës thelbësore për të lehtësuar vuajtjen… në lidhje me lirimin e pengjeve që po mbahen”.

Ende nuk është caktuar ndonjë seancë ku do të mund të votohej ky tekst.