Aktualitet Politikë

Drejtuesit e vendit urojnë Fitër Bajramin!

Presidenti Bajram Begaj uroi besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, nga xhamia e Ballies në qendër të qytetit të Elbasanit. Begaj vlerësoi bashkëjetesën fetare në Elbasan dhe gjithë Shqipërinë duke përcjellë mesazhin se kjo vlerë duhet ruajtur, promovuar e trashëguar.

Jam këtu për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë, gëzuar festën e Fitër Bajramit! Pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit, besimtarët u përkushtuan e besoj se me lutjet tyre, ata janë më afër Zotit.

Jam këtu në këtë xhami të mrekullueshme të qytetit të Elbasanit, e rindërtuar në të njëjtin vend ku në vitin 1608 Hasan Balliu e ndërtoi për herë të parë dhe në vitin 1967 u shkatërrua dhe falë Zotit u rindërtua përsëri në të njëjtin vend.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla uroi besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe mbarë botën për festën e Fitër Bajramit.

Pas një muaji sakrificash, solidariteti, vetëreflektimi e gëzimesh, besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit. Bajrami i Madh, si një festival humanizmi, na rikujton se sa pasuri e pamasë është dhimbsuria e Zotit, liria e besimit, dashuria për familjen e për njerëzit, shërbimi për të dobtit. Diversiteti i besimeve dhe patriotizmi i komuniteteve fetare është një pasuri e çmuar për Shqipërinë. Gëzuar Fitër Bajramin, vëllezër myslimanë!

Urimeve të kësaj dite të shënuar u është bashkluar edhe kryeministri Edi Rama.

GËZUAR FITËR BAJRAMIN!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi besimtarët myslimanë me rastin e mbarimit të Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit.

Pas një muaji reflektimi dhe sakrifice, ju uroj gëzuar Bajramin me zemrat plot begati, paqe dhe harmoni në familjet tuaja!

Pas 30 ditëve agjërim dhe falje, sot besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin. Një orë pas lindjes së diellit besimtarë të shumtë falën Namazin e Fitër Bajramit, që ndryshe njihet si festa e mbylljes së agjërimit. Në Tiranë, sërish u mblodhën në sheshin “Skënderbej”.

Për besimtarët myslimanë dita nisi herët me ndarjen e Sadaka Fitrit për të varfrit dhe më pas me grumbullimin në shesh. Namazi i Bajramit është një detyrim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhamedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz.

Besimtarët veshin rroba të reja për Bajram, vizitojnë të afërmit dhe miqtë e përshëndeten me njëri-tjetrin duke uruar “Gëzuar Fitër Bajramin!”.

Embëlsirat përgatiten dhe shpërndahen me pjatën kryesore që është sewayi – kadaif i pjekur, i gatuar me qumësht dhe i servirur me fruta të thata.

Ndryshe nga Kurban Bajrami (i cili fokusohet te mishi), Fitër Bajrami festohet me ëmbëlsira tradicionale të quajtura gjithashtu Meedhi Eid. Pas drekës së bollshme me familjen, dita mbyllet me vizita tek miqtë e të afërmit.