Aktualitet Sociale

Durrës, personat me aftësi të kufizuara në protestë para bashkisë!

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, u organizua një protestë e tetraplegjikëve e të verbërve në qytetin e Durrësit, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre. Saimir Farrici, përfaqësues i Shoqatës “Shpresë për të verbërit”, foli për problematikat me të cilat përballen:

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe jemi këtu para bashkisë, për të sensibilizuar opinionin publik, por edhe atë institucional që të kenë vëmendje ndaj nesh. Jemi në vitin 2023 dhe shikojmë një bashki të bunkerizuar, një bashki ku t’i nuk merr asnjë informacion dhe të diskriminon e të gjobit, duke vendosur lloj-lloj barrierash që aftësia e kufizuar të mos jetë e integruar në vendin tonë.

Unë kam këtu një vendim të gjykatës, që i dha të drejtë Shoqatës Kombëtare “Shpresë për të verbërit”, sepse bashkia nuk na ka pajisur me zyrë sipas ligjit dhe bashkia çoi shoqatën dhe komisionerin në Apel. Zyra është problemi kryesor, është një nga barrierat më të mëdha. Nëse nuk ke një zyrë, s’mund të bësh asnjë aktivitet, asnjë gjë. Kemi një gjobë nga bashkia, edhe pse nuk kemi zyrë, ajo na ka vendosur gjobë për të paguar taksat e zyrës, ndërkohë që nuk na ka dhënë asnjë zyrë.

Gjëja e tretë, shumë e rëndësishme është se edhe pse jemi në vitin 2023, kemi problem me shoqëruesit, kujdestarët tanë. Ata janë të diskriminuar, nuk u njihen siguracionet shoqëruesve të të verbërve dhe paguhen me një pagë qesharake e të papranueshme. Të punosh në të zezë, kur shteti shqiptar e ndalon me ligj. I pasiguruar dhe me një pagë qesharake.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thekson mbështetjen ndaj kësaj kategorie në vendin tonë. Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu deklaron se janë rreth 165 mijë persona që mbështeten në vit nga programi i aftësisë së kufizuar.

Hartimi i politikave në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj kësaj kategorie si dhe integrimi i tyre me të drejta të barabarta në tregun e punës, prioritet i qeverisë dhe MSHMS. Edhe buxheti 2024 për MSHMS parashikon mbështetjen e  personave me aftësi të kufizuar dhe kujdestarëve të tyre, të cilët do të përfitojnë pagesa nga fondi prej 17.9 miliardë lekë.