Bota

Dy gjermano-rusë të arrestuar në Gjermani për spiunazh!

Dyshime për spiunazh, dy gjermano-rusë u arrestuan në Gjermani. Njëri prej tyre akuzohet se u pagua që të kryejë sulme ndaj objektivave potenciale, përfshirë godina të ushtrisë amerikane e kjo me qëllimin që të sabotohet ndihma për Ukrainën. Të dyshuarit u arrestuan në qytetin Bajrojt të Bavarisë.

Të dyshuarit u identifikuan si shtetasit Dieter S dhe Alexander J. Prokurorët thanë se Dieter S kishte diskutuar për akte të mundshme sabotuese në Gjermani me një person të lidhur me inteligjencën ruse që nga tetori i vitit të kaluar dhe qëllimi kryesor ishte që të minohej mbështetja ushtarake që Gjermania jep për Ukrainën. I dyshuari ishte deklaruar i gatshëm që të kryente sulme me bomba dhe zjarrvënie ndaj infrastrukturës të përdorur nga ushtria e po ashtu në ndërtesat industriale në Gjermani.

Ai kishte mbledhur informacione lidhur me shënjestrat e mundshme, përfshirë edhe ndaj ndërtesave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Supozohet se Alexander J e ndihmoi që këto sulme t’i kryente në një kohë më të vonët. Po ashtu, Dieter S sipas prokurorëve kishte bërë fotografi dhe video të pajisjeve ushtarake e ndërtesave duke ia dorëzuar këto informacione kontaktit të tij në inteligjencën ruse.

Dieter S po përballet me një akuzë tjetër, përkatësisht për pjesëmarrje në një njësi të armatosur të separatistëve pro-rusë në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës. Dyshohet se ai kishte qenë anëtar i kësaj njësie nga dhjetori i vitit 2014 e deri në shtator të vitit 2016.

Ndër të tjera, Gjermania njihet si furnizuesja e dytë më e madhe pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës e armëve për Ukrainën, pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj mbi dy vjet më parë, në shkurt të vitit 2022. Ndërkaq, Amerika ka prani të madhe ushtarake në Gjermani.

Më 20 prill, pra këtë të shtunë, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan do të votojë lidhur me ndihmën për Ukrainën, Izraelin e Indo-Paqësorin. Lajmin e dha kryetari republikan, Mike Johnson. Një komitet bëri publik ligjin që përfshin ndihmën e sigurisë në vlerë mbi 95 miliardë dollarë, përfshirë rreth 61 miliardë për Ukrainën, vend që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të 2022-shit.