Bota

E dënoi me vdekje, Irani ekzekutoi ish-politikanin e lartë Alireza Akbari!

Pasi në fillim të javës e dënoi me vdekje duke e shpallur “fajtor” lidhur me akuzat për spiunazh, Irani ekzekutoi dënimin për ish-politikanin e lartë britaniko-iranian, Alireza Akbari. Akbari “u demaskua si një nga agjentët më të rëndësishëm për inteligjencën britanike” dhe u akuzua për zbulim të sekreteve shtetërore. Vendimi i Gjykatës së Lartë është përfundimtar.

Për mediat britanike, Akbari i cili i hodhi poshtë akuzat, kishte kultivuar një marrëdhënie të ngushtë me politikanët që po përpiqeshin të ndërmjetësonin e të pajtoheshin pas valës së fundit të protestave në Iran. Manifestimet pasuan vdekjen në shtator të 22-vjeçares Mahsa Amini, e ndaluar nga Policia e Moralit për mbajtjen e hixhabit jo në mënyrën e duhur.

Ka pasur raportime të përsëritura për arrestime, ndalime e madje edhe ekzekutime të agjentëve iranianë, të dyshuar se punonin për shërbimet e huaja sekrete, veçanërisht izraelitët e Mossadit ose CIA-n amerikane. Në pjesën më të madhe të rasteve, pretendimet iraniane nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa arrestimet dhe gjyqet mbahen të fshehta.

Përpara ekzekutimit, Akbari pohonte se “u mor në pyetje dhe u torturua nga agjentë të inteligjencës, për më shumë se 3 mijë e 500 orë”.

Përmes metodave psikologjike, ata më thyen besimin, më çuan drejt çmendurisë dhe më kanë detyruar të them gjithçka që kërkuan. Përmes armëve e kërcënimeve, më detyruan të dëshmoj pretendime të rreme. Irani synon të hakmerret ndaj Mbretërisë së Bashkuar përmes ekzekutimit tim.

Siç dihet, lidhjet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës Islamike janë përkeqësuar ndjeshëm në muajt e fundit, që nga koha kur Londra zyrtare vendosi sanksione për Policinë iraniane të Moralit dhe të tjera figura kyçe të sigurisë. Kjo si kundërpërgjigje ndaj shtypjes së protestave antiqeveritare.

Irani ka arrestuar dhjetëra iranianë me shtetësi të dyfishtë apo leje-qëndrime të përhershme në shtetet e tjera, sidomos me akuzat e spiunazhit apo çështjeve të ndryshme të lidhura me sigurinë kombëtare.