Bota

Edhe Kina reagon për vdekjen e presidentit iranian Raisi në aksident ajror!

Presidenti kinez, Xi Jinping e përshkroi vdekjen e presidentit iranian Ebrahim Raisi si “një humbje të madhe për popullin e tij”, siç njoftoi sot Ministria e Jashtme e Pekinit. Më herët reaguan edhe Bashkimi Europian e Rusia.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel shprehu ngushëllimet në emër të Bashkimit Europian për vdekjen e presidentit iranian, Ebrahim Raisi në një aksident me helikopter.

BE-ja shpreh ngushëllime të sinqerta për vdekjen e presidentit Raisi dhe ministrit të Jashtëm Abdollahian, si dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit dhe ekuipazhit të tyre në një aksident me helikopter. Mendimet tona shkojnë te familjet e të humburve.

Kreu i shtetit iranian dhe kryediplomati ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën kur helikopteri i tyre u rrëzua në malet veriperëndimore të vendit gjatë motit të keq, siç njoftuan mediat shtetërore.

Kabineti i Iranit thirri një mbledhje të dytë urgjente në më pak se 24 orë pas konfirmimit të vdekjeve.
Zv.presidenti Mohammad Mokhber kryesoi një takim pasi helikopteri u zhduk mbi provincën e Azerbajxhanit Lindor. Sipas protokollit, me vdekjen e Raisit, Mokhber duhet të bëhet president i përkohshëm, në pritje të miratimit nga Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei. Zgjedhjet e reja do të duhet të zhvillohen brenda 50 ditëve.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA publikoi imazhe të marra nga një dron e që tregojnë mbetjet nga një avion i djegur në një shpat të pjerrët në mes të pyllit.

Raisi dhe Amirabdollahian po ktheheshin nga një takim me presidentin e Azerbajxhanit fqinj, Ilham Aliyev, kur helikopteri i tyre u zhduk nga radarët në mjegull të dendur. Iranianët ndihmuan në inaugurimin e një dige në Azerbajxhan që u ndërtua bashkërisht nga palët

“Presidenti iranian Ebrahim Raisi ishte një “mik i vërtetë” i Rusisë dhe ishte i admiruar si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, tha sot presidenti rus Vladimir Putin në një mesazh, pas konfirmimit të vdekjes së Raisit në një aksident me helikopter një ditë më parë.

Raisi ishte shumë i respektuar nga bashkatdhetarët e tij dhe gëzonte prestigj të madh jashtë vendit, theksoi Putin në një mesazh ngushëllimi drejtuar liderit suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei.

Si një mik i vërtetë i Rusisë, ai dha një kontribut të paçmuar personal në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve tona dhe bëri përpjekje të mëdha për t’i ngritur ato në nivelin e partneritetit strategjik.

Lidhjet midis Teheranit dhe Moskës kanë qenë tradicionalisht të ngushta, ndërsa Putini e ka konsideruar Iranin si një partner kyç në ambicien e tij për të arritur një rend të ri botëror që është i lirë nga dominimi i SHBA-ve.