Aktualitet Politikë

Ekskluzive/ Rama mbledhje të jashtëzakonshme me ministrat dhe deputetët

Kryeministri Edi Rama ka planifikuar zhvillimin e një mbledhje të jashtëzakonshme me grupin parlamentar dhe ministrat.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, duke iu referuar burimeve nga kuvendi raporton se kjo mbledhje do të transmetohet Live.

Të njëjtat burime i thanë Top Channel se mbledhja do te mbahet pas pushimit të Pashkëve të martën paradite, ku Rama ka kërkuar të mos mungoje asnjë deputet.

Nuk dihet se cili do të jetë mesazhi i Edi Ramës, por mund të merret me mend se ai lidhet me çështjet e aktualitetit dhe axhendën e maxhorancës në kushtet  kur tema e korrupsionit ka marrë vëmendje të veçante edhe për shkak të disa goditjeve të SPAK-ut, qofte ndaj opozitës, po qoftë edhe ndaj disa zyrtareve të lartë në institucionet qendrore apo në Bashkinë e Tiranës. Top Channel kërkoi të mësoje më shumë detaje për këtë mbledhje të jashtëzakonshme.

“No Comment”, ishte përgjigja që Top Channel mori për të patur një koment nga zyra e shtypit në kryeministri.

Kujtojmë se sot Rama ishte në Vorë.

Gati 4 vite e gjysmë nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019, 404 familje të Vorës do të futen në banesat e tyre të reja. 404 apartamentet e përfunduara u inspektuan nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili u kujdes t’ia nënvizonte banorëve se ata nuk do të kenë asnjë detyrim ndaj shtetit.

“Se çfarë nuk ju kanë thënë e çfarë nuk keni dëgjuar, por ajo që është e rëndësishme të thuhet sot është se këto janë shtëpitë tuaja dhe ju nuk keni asnjë detyrim. Asnjë kokërr leku, asnjë kredi, asnjë borxh, asnjë gjë. I keni pronën tuaj, ta gëzoni dhe bëni si të doni, vetëm mirëmbajeni, jo shtëpinë brenda, por gjithë këtë ambient mirëmbajeni për të mirën e të gjithëve e për fëmijët. Kjo është e vetmja gjë që keni ju detyrë. I pashë shtëpitë dhe janë si të jesh në mes të Tiranës, por atje kushtojnë shumë, kurse këtu janë falas! “, – theksoi Kryeministri Rama.

Godinat e reja të banimit janë të shoqëruar dhe me parkim nëntokësor, rreth 300 vende parkimi në total. Kryetari i bashkisë, Blerim Shera tha se deri më tani janë dorëzuar 130 apartamente, ndërsa për 404 banesat që kanë përfunduar shumë shpejt do të hidhet shorti.