Aktualitet

Ekskluzive TCH/ Ndryshon Kodi Penal, marrëdhëniet me 14 vjeçarë, krim! Rritet dënimi i abuzuesve!

Pa u mbyllur ende një muaj, janë 6 të mitura që kanë rënë pre e krimeve seksuale në vendin tonë. Në Divjakë një e mitur 14-vjeçe ishte martuar ndërsa në Pogradec, një 12-vjeçare u abuzua seksualisht nga djali i bashkëjetuesit të nënës.

Mjaft tronditës ishte dhe rasti i shfrytëzimit seksual prej dy vitesh i një të miture që tani është 16-vjeçe nga një 42 vjeçar në Tiranë me profesion mjek, duke e prezantuar si gruan e tij të 4-rt. Nga ana tjetër, tre të mitura 15, 16 dhe 17-vjeçe në një fshat të Fushë Krujës shfrytëzoheshin për prostitucion për rreth 6 muaj nga katër të rinj.

Kjo panoramë ka sjellë në vëmendje Kodin Penal e që një marrëdhënie seksuale me një të mitur mbi 14 vjeç nuk e cilëson kriminale. Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço:

Duke vendosur në ligj moshën 14 vjeç si moshë e lejuar për dakordësinë për të kryer marrëdhënie seksuale, deri në 18-vjeç ky ligj ka një vakum. Ka mangësi gjithashtu  në lidhje me diferencën që ka personi që hyn në marrëdhënie me të miturin. Nuk e cakton sa duhet të jetë. Duhet hequr edhe përcaktimi për pjekurinë seksuale se në këtë formë ulet akoma mosha dhe mjekësia ligjore detyrohet të nxjerrë raporte të sforcuara për të justifikuar marrëdhënien.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat mëson ekskluzivisht se Kodi Penal do të ndryshojë dhe seksioni i krimeve seksuale nga 8 nene që ka tani do të ketë 23. Sipas draftit të hedhur për diskutim e që Top Channel disponon, mosha për të shprehur dakordësinë për të hyrë në një marrëdhënie seksuale do të rritet nga 14 në 16-vjeç.  Po ashtu parashikohet të rritet edhe dënimi.

Sipas ndryshimeve, kryerja e akteve me natyrë seksuale me një person të mitur të moshës deri gjashtëmbëdhjetë vjeç do të dënohet me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Përjashtim do të ketë vetëm kur i mituri hyn në një raport intim me një person deri në 2 vite më të madh se vetja.

Një zë i veçantë i është dhënë dhe veprave penale si dhuna seksuale, ekspozimi i të miturve në akte seksuale, manipulimi, prostitucioni dhe pornografia me të mitur, e të tjera./Top Channel