Aktualitet Politikë

Emigrantët në Greqi gati për të pritur kryeministrin Rama!

Me kryeqytetin grek Athinë, sot rreth orës 10:00, kryeministri i vendit Edi Rama nis turin e takimeve me Diasporën. Në kuadër të procesit të rienergjizimit të Partisë Socialiste, ky tur ka në fokus forcimin e lidhjeve me bashkëatdhetarët. Shefi i qeverisë Rama do të shoqërohet nga rreth 150 persona, mes tyre anëtarë të qeverisë, deputetë e gazetarë. Salla “Christmas Theatre” në stadiumin Galatsi pritet të mbushet nga rreth 8 mijë shqiptarë.

Greqia ka marrë masa shumë të rrepta sigurie për vizitën e kryeministrit Rama në Athinë, për takimin me emigrantët. Sipas mediave greke, qindra punonjës policie në vendin fqinj do të jenë në dispozicion për të siguruar kalimin e qetë të Ramës dhe për ta mbrojtur deri në momentin e largimit, me një numër në rritje ose në zvogëlim të forcave policore, sipas nevojës.

Fjalimi në Teatrin e Krishtlindjes do të mbahet rreth orës 11:00, por gjatë ditës, Edi Rama do të zhvillojë edhe takime me bashkatdhetarë, anëtarë të partisë së tij e biznesmenë si dhe pritet të shpërndajë broshurat për marrëdhëniet dypalëshe. Rreth orës 18-19:00, Rama do të largohet nga Athina.

Më herët, në një postim në rrjetin social, Facebook, shefi i qeverisë foli në lidhje me një “moment të rëndësishëm krenarie për të gjithë shqiptarët në Greqi”. Po ashtu, ftesa e tij shoqërohet edhe me një kompozim vizual të Akropolit me flamujt e dy vendeve fqinje, Shqipërisë e Greqisë.

Para vizitës në Athinë të kryeministrit Edi Rama, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Erion Veliaj kishte një thirrje për të gjithë shqiptarët atje.

Për të gjithë ata persona që kanë njohje në Greqi, sidomos në zonën e Athinës, është e rëndësishme të lajmërojnë. Tani që kemi edhe një pallat sporti për të mbushur, besoj fort se miqtë, vëllezërit, shokët, shoqet që kemi në Athinë do t’i përgjigjen thirrjes së kryeministrit për këtë tur, që nis nga Athina e vazhdon edhe në qendrat e tjera të mëdha ku ka shumë shqiptarë, në Europë. Mezi pres që të kemi një fundjavë aksioni dhe të dalim të gjithë faqebardhë me zgjedhjet e hapura, një anëtar një votë në PS.

Në Greqi nuk e kanë fshehur kundërshtinë për këtë vizitë të kryeministrit Rama, duke e parë si të papërshtatshme në kohë zgjedhjesh për Parlamentin Europian dhe ndikimin te vota e shqiptarëve atje.