Health & Beauty Sociale

Fëmijët kanë probleme me sytë, shkak telefoni!

Në çdo 10 fëmijë që shkojnë për kontrollin e syve tek okulisti, 4 prej tyre rezultojnë me probleme të miopisë. Të gjithë nxënësit përpara fillimit të viti të ri shkollor janë të detyruar të bëjnë kontrollin e syve. Sipas mjekëve okulistë, ndonëse më parë ka pasur shumë fëmijë që vuanin nga hipermetropia, pra që shikonin më qartë objektet larg, tani fëmijët shfaqin më së shumti probleme me miopinë.

“Po shfaqen shumë fëmijë me miopi. Kjo ndodh si rezultat i përdorimit të celularëve që bëjnë një dëmtim të shikimit. Kjo duhet të kapet në kohë dhe duhet të jepen këshillat e duhura për fëmijët, prindërit dhe mësuesit për përdorimin e celularit.”-shprehet mjekja okuliste Suzana Zhuka.

Mjekët okulistë e lidhin miopinë tek fëmijët me qëndrimin me orë të zgjatur përpara telefonit apo kompjuterit. Por sa kohë mund të qëndrojë një fëmijë përballë ekraneve të pajisjeve elektronike.

“Kur dëgjoj që thonë 4-5 orë, për mua është alarm. Duhet maksimalisht 30 minuta. Rrezatimi i pajisjeve elektronike ka një dëm të madh, të pariparueshëm për syrin”-thotë mjekja okulsite.

Tani është rritur ndërgjegjësimi i prindërve dhe fëmijëve për kontrolle dhe nuk e kanë më problem nëse fëmijët vendosin syze, gjë e cila më herët paragjykohej

“Në gjimnaz përqindja e nxënësve që mbajnë syze me miopi është rritur”-shprehet mjekja.

Një herë në vit, nxënës të çdo moshe këshillohet të bëjnë kontrollin e shikimit.