Bota

Fjalimi drejtuar kombit, presidenti rus Putin bën kërcënime të frikshme!

Fjalimin vjetor drejtuar kombit, presidenti rus, Vladimir Putin e nisi duke paraqitur këndvështrimin e tij se si po përparon lufta kundër Ukrainës dhe po ashtu për raportet e Rusisë me Perëndimin, teksa kërcënoi me pasoja “tragjike” nëse NATO dërgon trupa në Ukrainë.

Rusia ka armë, të cilat mund të godasin territorin e tyre dhe tani ata po sugjerojnë e po e kërcënojnë botën me to. E gjitha kjo rrit kërcënimin real të një konflikti bërthamor që nënkupton shkatërrimin e njerëzimit.

Duke folur në më pak se tri javë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, të cilat pritet t’i fitojë me lehtësi, Putini përsëriti narrativin se nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës ishte e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin e Rusisë dhe sigurinë.

Pavarësisht vështirësive dhe shijes së hidhur të humbjeve, njerëzit e mbështesin këtë zgjedhje.

Në pjesën e parë të fjalimit që e mbajti para dy dhomave të Parlamentit rus dhe Këshillit të Federatës, u fokusua më shumë te Perëndimi, duke e akuzuar se “po tenton të na tërheqë në një garë armësh dhe duke u përpjekur që të na lodhë”.

Perëndimi nuk po tenton vetëm që të na pengojë në zhvillimin tonë. Në vend të Rusisë, atyre u duhet një vend vdekjeje. Por, Perëndimi i ka bërë keq llogaritë.

Më herët gjatë kësaj jave, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se pavarësisht se tani për tani nuk ka konsensus, nuk duhet të përjashtohet asnjë mundësi për ta ndihmuar Ukrainën, përfshirë dërgimin e trupave perëndimore për të luftuar përkrah Kievit, që të parandalohet një fitore e Rusisë.

Putin tha:

Një lëvizje e tillë do të rezultonte me pasoja për intervencionistët e që do të ishin shumë më tragjike.

Po ashtu, sugjeroi se një përfshirje e Perëndimit do të rriste mundësinë e një lufte bërthamore botërore. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë, thanë se nuk kanë plane që të dërgojnë trupa tokësore në Ukrainë.

Teksa hodhi poshtë raportimet perëndimore se Moska po shqyrton mundësinë e dislokimit të armëve bërthamore hapësinore, Putin u shpreh se forcat bërthamore të Rusisë janë “në gatishmëri të plotë” dhe se ushtria ka dislokuar armatime të reja në fushëbetejën në Ukrainë.

Lideri rus vuri në dukje se raketa e re balistike ndërkontinentale, Sarmat është futur në shërbim të forcave bërthamore ruse, ndërsa shteti po përfundon testimin e një rakete dhe dronëve të tjerë bërthamorë.

Fjalimi i Putinit u mbajt para zgjedhjeve presidenciale ruse të 15-17 marsit, të cilat Kremlini shpreson t’i përdorë për të treguar unitetin e kombit në mbështetje të Putinit dhe pushtimit të Ukrainës. Zgjedhjet ruse kontrollohen ashpër nga Kremlini dhe nuk janë të lira e as të drejta, por nga qeveria shihen si nevojë për të përçuar një ndjenjë të legjitimitetit.