Bota

Franca gjysmë e paralizuar, francezët në rrugë kundër reformës që rrit moshën e daljes në pension!

Në Francë vazhdojnë protestat për të kundërshtuar reformën që rrit moshën e daljes në pension, në 64-vjeç. Në një klimë të vështirë dhe pa dialog mes sindikatave e qeverisë franceze, manifestime pati pothuajse kudo. Protestuesit u përfshinë në një atmosferë zemërimi social, ndonëse pa incidente serioze.

Në përfundim të një manifestimi në kryeqytetin Paris u krijuan edhe disa situata kaotike, por nuk pati të lënduar. Po ashtu, 30 persona u ndaluan. Sipas shifrave të dhëna nga sindikatat, ishin rreth 2.8 milion njerëz që zbritën në sheshe e rrugë. Kjo shifër është dukshëm më e lartë se ajo prej një milion që u konstatua në protestat e datës 19 janar.

Lufta për shifrat

Referuar të dhënave të shpërndara nga Confederation generale du travail (Cgt), 500 mijë vetë zgjodhën të protestonin në Paris. Nga ana e saj, policia franceze raportoi për mbi 1 milion e 200 mijë manifestues, 87 mijë prej të cilëve në kryeqytetin e Francës.

Edhe sa i përket protestës së 19 janarit pati pretendime të ndryshme për pjesëmarrjen. Sindikatat referuan për mbi 2 milion manifestues, ndërsa autoritetet numëruan një milion.

Organizatorët kanë paralajmëruar të tjera mobilizime brenda këtij muaji. Ato janë planifikuar për në datat 7 e 11 shkurt. Qëllimi kryesor është që qeveria të detyrohet të bëjë hapa pas e të mos e zbatojë reformën që moshën e daljes në pension në Francë e rrit me dy vite, duke e çuar nga 62 në 64 vjet.