Sport

FSHF nxjerr në shitje biletat për “Final 4” e Superiores!

Federata Shqiptare e Futbollit njofton se duke nisur nga kjo e enjte (11 prill) të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar “Abissnet Superiore” do të kenë mundësi të blejnë biletat e ndeshjeve të “Final Four”. Katër skuadrat më të mira të këtij sezoni futbollistik do të përballen me njëra-tjetrën për të shpallur ekipin kampion të këtij sezoni, teksa të gjitha ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania”.

Çmimet nisin nga 1.000 lekë të reja në tribunat pas porte dhe këndore, ndërsa biletat në tribunat E103, 107, 204 dhe 208 do të kenë cmimin 1.500 lekë të reja. Me një çmim promocion, biletat për të katërta ndeshjet në këtë tribunë do të shiten me çmimin 3.000 lekë të reja.

Sakaq, biletat në tribunat E 104, 105, 106, 205, 206, 207 do të shiten me çmimin 2.000 lekë të reja për dy ndeshjet e para gjysmëfinale dhe finale, ndërsa për ndeshjen për vendin e 3-4 me çmimin 1.500 lekë. Me një çmim promocion, biletat për të katërta ndeshjet në këtë tribunë do të shiten me çmimin 5.000 lekë të reja.

Biletat në tribunat W101,102, 106 dhe 107 do të shiten me çmimet 3.000 lekë për dy ndeshjet gjysmëfinale, 4.000 lekë për sfidën finale dhe 2.000 lekë për ndeshjen që do të përcaktojë vendin e 3-të dhe të 4-t. Me një çmim promocion, biletat për të katërta ndeshjet në këtë tribunë do të shiten me çmimin 8.000 lekë të reja.

Në tribunën Vip Gold W103 dhe 105, biletat do të variojnë nga 5.000 lekë për ndeshjet gjysmëfinale, në 8.000 lekë për takimin final dhe 4.000 lekë për ndeshjen ku do të përcaktohet vendi i tretë dhe i katërt. Me çmimin promocion, katër bileta mund të blihen me çmimin 12.000 lekë të reja.

Ndërkaq, në tribunën VIP Platinum çmimet e biletave për ndeshjet gjysmëfinale janë 7.000 lekë të reja, biletat për ndeshjen finale në këtë tribunë do të kushtojnë 10.000 lekë të reja ndërsa biletat për takimin që do të përcaktojë vendin e tretë dhe të katërt do të kushtojnë 5.000 lekë të reja. Me një çmim promocion, biletat për të katërta ndeshjet në këtë tribunë do të shiten me çmimin 15.000 lekë të reja.

Biletat për ndeshjet e ‘Final Four’ mund të blihen online në ebileta.al gjatë gjithë kohës dhe nga dita e nesërme edhe në pikat fizike pranë stadiumit ‘Air Albania’ dhe stadiumit ‘Selman Stermasi’ në fashën orare 10:00-18:00. Biletat me çmim promocional do të shiten vetëm në dy pikat fizike.

Pas përfundimit të javës së 36-të do të hidhet edhe shorti për ndeshjet e Final Four. Skuadra fituese e Final Four do të marrë pjesë në Champions League, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë në kualifikueset e UEFA Conference League.