Njerëzit të cilët pinë ujë me vrull sapo zgjohen, kanë shtrëngime të forta e dhimbje të stomakut. Ekspertët thonë se dhimbjet që shoqërojnë pirjen e ujit esëll në stomak ndodhin për arsyen sepse kur stomaku është esëll është i qetë. Pirja me vrull e ujit është traumatike, sidomos për stomakun që është i ndjeshëm. Uji, sidomos nëse është i ftohtë, shkakton kontraktim të menjëhershëm të muskujve të stomakut.
Nëse pini ujë me gllënjka të mëdha rrezikoni të holloni gjakun dhe nxisin nxjerrjen e menjëhershme të ujit nëpërmjet urinës dhe si pasojë do të jeni më të dehidratuar. Uji duhet pirë ulur, në gllënjka të vogla dhe jo të mbaroni një shishe menjëherë. Me gllënjka të vogla, uji qëndron më shumë në gojë dhe më pas rrugëton ngadalë drejt stomakut bashkë me pështymën ku neutralizon nivelet e aciditetit. Gjithashtu, nuk duhet të pini ujë para dhe gjatë vakteve. Përmbytja e stomakut gjatë vakteve, hollon lëngjet tretëse duke ndikuar tek i gjithë sistemi dhe vështirësuar atë.
Sipas ekspertëve, uji i ftohtë përkeqëson tretjen. Nëse temperatura e stomakut është më e ftohtë se e trupit në përgjithësi, enzimat tretëse nuk e bëjnë dot punën e tyre. Ushqimet që duhet të qëndrojnë në stomak për më gjatë, siç janë mishi, peshku, shpendët, djathi apo drithërat transferohen në zorrë shumë më shpejt se zakonisht. Në zorrë, ushqyesit dhe proteinat nuk përthithen dot. Nëse vuani nga fryrja, gazrat, gromësirat, era e keqe e gojës, diarreja e probleme të tilla, përpiquni të kufizoni sa më shumë ujin e ftohtë.
Ndërkaq, në pranverë sistemi imunitar është akoma i dobët, kështu që kini parasysh të përfshini në dietë vitaminën C. Konsumoni kastravecë, karota, domate, ananas, mollë, kungull, selino, qepë të njoma dhe të gjitha frutat dhe perimet e gjelbra. Fillojeni ditën me një filxhan çaj bimor. Nenexhiku, xhenxhefili ose kamomili janë mënyra më e mirë për ta pastruar trupin nga toksinat, për të ndihmuar në rënien në peshë, por edhe për të rritur nivelin e energjisë. Uji me limon është një tjetër alternativë e mirë për mëngjes.