Bota

Gantz ultimatum kryeministrit izraelit Netanyahu për luftën në Gaza!

Kabineti i luftës në Izrael duhet që deri më 8 qershor, të përgatisë një plan veprimi për luftën. Ky është ultimatumi i ministrit të Kabinetit të Luftës, Benny Gantz, drejtuar kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Ju duhet të zgjidhni … nëse nuk zgjidhni, ne do të largohemi nga qeveria!

Gantz nuk e mohoi zgjedhjen për të hyrë në qeverinë e kohës së luftës pas 7 tetorit 2023 në ultimatumin e tij drejtuar Netanyahut, teksa theksoi se “gjërat shkuan mirë për një kohë të gjatë, por së fundmi diçka ka shkuar keq”.

Përplasjet me armë zjarri dhe bombardimet, dje tronditën qytetin Rafah në pjesën jugore të Gazës, thanë dëshmitarët. Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se ndihmat e para humanitare kishin hyrë në territorin e rrethuar përmes një platforme pluskuese të ndërtuar nga ushtria amerikane.

Luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë janë ndezur përsëri në pjesën veriore të Gazës ndërsa kanë kaluar mbi 10 ditë që kur ushtria izraelite njoftoi fillimin e një operacioni të kufizuar në Rafah.

Pati luftime intensive në kampin e refugjatëve në Jabalia. Të premten e 17 majit, ushtria izraelite njoftoi për luftimet më të ashpra në më shumë se shtatë muaj luftë.

Militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar duke vrarë 1 mijë e 200 njerëz dhe morën peng më shumë se 250 të tjerë, sipas Izraelit, çka shkaktoi ndërhyrjen në shkallë të gjerë në territorin palestinez. Izraeli është zotuar ta shkatërrojë Hamasin, grupin radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Amerika dhe BE-ja.

Ushtria izraelite ka goditur militantët e Hamasit në pjesën veriore të territorit ndërsa në jug, ata sulmuan tanket izraelite që po grumbullohen rreth qytetit Rafah.

Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi se ndihmat e para humanitare hynë në territorin e rrethuar detar, vala e parë e ndihmave prej disa javësh që mbërrin në Gaza. Ushtria amerikane ndërtoi një platformë pluskuese për të ndihmuar në dërgimin e ndihmave përmes rrugëve detare.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se gjatë ditëve të ardhshme pritet dërgimi i rreth 500 tonëve ndihma në Gazë përmes platformës pluskuese.

Kombet e Bashkuara dhe grupet e ndihmave humanitare thonë se korridori detar dhe dërgesat e ndihmave nga ajri nuk mund të zëvendësojnë kolonat e kamionëve me ndihma që mund të hyjnë në Gazë. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar mbi rrezikun e urisë që po kanos popullsinë e zhvendosur.