Bota

Gaza e siguria rajonale, Blinken në Arabinë Saudite!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken është nisur drejt Arabisë Saudite për bisedime rajonale dy-ditore që mbahen sot dhe nesër në lidhje me ndihmat humanitare për Gazën, të ardhmen e territoreve palestineze pas përfundimit të luftës me Izraelin, si dhe stabilitetin e sigurinë në Lindjen e Mesme. Në një njoftim zyrtar, Uashingtoni u shpreh:

Sekretari i Shtetit do të diskutojë përpjekjet në vazhdim për arritjen e një armëpushimi në Gazë që do të siguronte lirimin e pengjeve e përse Hamasi është bërë një pengesë për popullin palestinez dhe për një armëpushim.

Sekretari Blinken do të marrë pjesë në takimin në Riad të ministerialit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, një aleancë rajonale e vendeve arabe që ndodhen rreth Gjirit Persik.

Një ditë më parë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby i tha emisionit “This Week” të kanalit televiziv ABC se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë për arritjen e një armëpushimi gjashtëjavor për luftën gati shtatëmujore në Gaza mes Izraelit e militantëve të Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian gjithashtu.

Bisedimet e armëpushimit kanë vazhduar prej muajsh dhe megjithëse ka sinjale të herëpashershme se arritja e një marrëveshjeje mund të jetë e afërt, Kirby nuk dha ndonjë tregues për përparime të reja në diskutime.

Ai tha se Izraeli i ka siguruar zyrtarët amerikanë se nuk do të dërgojë forca tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pa dëgjuar plotësisht shqetësimet e Shteteve të Bashkuara se një sulm i tillë do të rrezikonte jetët e mbi 1 milion palestinezëve që janë strehuar atje.

Më tej, Kirby theksoi se një port i përkohshëm që po ndërtohet në Detin Mesdhe në bregun e Gazës mund të përfundohet në dy apo tre javë e do të mundësojë transportimin e ndihmave më të mëdha humanitare drejt këtij territori të ngushtë, për të ndihmuar palestinezët.

Lufta në Gaza vijon prej 7 tetorit të vitit të kaluar kur Hamasi sulmoi Izraelin e jugut, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona e mori peng 250 të tjerë, disa prej të cilëve ende mbahen nga grupi palestinez që vazhdimisht publikon video të izraelitëve që kërkojnë të lirohen.