Bota

Gjermania jep OK, personat trans që duan të ndryshojë gjininë në dokumenta, tani e kanë më të lehtë!

Në Gjermani kushdo që dëshironte të ndryshonte gjininë në dokumenta, duhej të kalonte një procedurë me shumë pengesa: Ishin të nevojshme dy ekspertiza psikologjike me pyetje nga më intimet. Në fund vendos gjykata. Personat e prekur e kritikonin këtë procedurë si të stërzgjatur, të kushtueshme dhe denigruese.

Por, në bazë të ligjit të ri të vetëvendosjes për gjininë, tashmë gratë e burrat trans, si dhe njerëzit transgjinorë që nga lindja, të cilët kanë tipare femërore e mashkullore, mund të aplikojnë lehtësisht për ndryshimin e gjinisë në dokumenta. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit që nuk klasifikohen as meshkuj dhe as femra.

Lehtësimi i procedurës mundësohet nga ligji i ri i miratuar dje në Bundestag me shumicë votash nga partitë e koalicionit qeverisës: socialdemokratët, të gjelbërit dhe liberal-demokratët. Ligji u mbështet edhe nga grupi i të majtëve. Partitë opozitare kristiandemokrate/kristiansociale, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) e refuzuan prerazi këtë ligj.

Ligji i vitit 1980 ende deri tani në fuqi njihet si ligji për transgjinorët (TSG). Qofshin njerëzit burrë, grua apo ndryshe: Në të ardhmen, secili merr vendimin se cilën gjini do të regjistrojë në dokumenta, si dhe emrin në pasaportë. Në vend të një ekspertize të dyfishtë si deri më tani, bazuar në rregulloren e re do të mjaftojë një vetëdeklarim në gjendjen civile. Të prekurit duhet të mbrohen në privatësinë e tyre në rast se nuk duan ta bëjnë publike këtë ndryshim.

Ndryshimet në gjendjen civile do t’u mundësohen edhe të miturve nga mosha 14 vjeç. Ata mund të japin një deklaratë, por u duhet edhe miratimi i personave që kujdesen për ta. Në rast konflikti vendos gjykata për çështjet familjare. Për fëmijët mund të aplikojnë për ndryshim gjinie vetëm prindërit apo përfaqësuesit ligjorë të tyre.

Opozita ka kritika

“Ligji ka boshllëqe sigurie dhe mund të shpërdorohet prej grupeve kriminele”. Kjo u tha nga grupi parlamentar kristiandemokrat/kristiansocial në Bundestag.

Kjo për arsye se nuk parashikohet deklarimi i ndryshimit të gjinisë dhe të emrit në organet e sigurisë. Po ashtu konservatorët argumentojnë, se në ligjin e ri nuk garantohet mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve.

I ngarkuari i qeverisë federale për pranimin e shumëllojshmërisë seksuale dhe gjinore, Sven Lehmann, theksoi se ligji i ri ua lehtëson shumë procedurat personave të prekur. Lehtësimi i aplikimit për ndryshim gjinie dhe emri do t’ua lehtësojë jetën interseksualëve e personave trans.