Aktualitet Rajoni

Greqi, 2.6 milionë banorë në vështirësi nga çmimet e larta!

Pavarësisht se çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën me 4.8% , krahasuar me një rritje prej 5.8% në shkurt, kjo normë është pothuajse dyfishi i asaj të Eurozonës ku pati një rritje vetëm me 2.7% tregojnë të dhënat e shërbimit europian të statistikave për Greqinë.

Inflacioni në vend u rrit në 3.4% në muajin mars nga 3.1% në muajin e kaluar, sipas indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit të Eurostat-it. Në të kundërt, në Eurozonë, inflacioni ra në 2.4%  në mars, nga 2.6% në muajin shkurt.

Rritja e re e inflacionit në Greqi vjen si pasojë e çmimeve të shërbimeve, të cilat u përshpejtuan në 3.9% nga 3.5% ndërsa edhe çmimet e produkteve joushqimore gjithashtu u rritën ne 0.4%.Vetëm çmimet e energjisë elektrike ranë me 1%.

Ndërkohë shërbimi kombëtar grek i statistikave ELSTAT tregon se varfëria mbetet në një nivel shumë të lartë në Greqi- të paktën 2.6 milion qytetarë grekë , pra rreth ¼ ,rrezikohen nga varfëria.

Vërtet që kjo shifër është ulur prej vitit 2015 kur kishte shkuar pas krizës ekonomike në 33% , përsëri bëhet fjalë për një përqindje të konsiderueshme.

Rreziku i varfërisë ose i përjashtimit social është më i lartë për fëmijët e moshës 17 vjeç e poshtë. Pragu i varfërisë arrin në 6,030 euro në vit të ardhura për një familje me një person dhe 12,663 euro për familjet me dy të rritur dhe dy fëmijë nën moshën 14 vjeç. Nga 13 rajonet e vendit,  vlerësohen se kanë shkallën më të lartë të rrezikut të varfërisë ose të përjashtimit social Peloponezi, Greqia Perëndimore, Maqedonia Perëndimore, Maqedonia Lindore dhe Traka, Egjeu i Veriut, Maqedonia Qendrore dhe Ishujt Jon.