Aktualitet Rajoni

Greqi, hyri mes flakëve e shpëtoi një fëmijë, mediat greke lavde heroit shqiptar!

Në mediat greke, sot i bëhet jehonë aktit heroik të një 22-vjeçari, djalë i dy prindërve emigrantë nga Shqipëria. Ai quhet Dionis Abdiaj e ka fituar zemrat e të gjithëve kur si një hero i vërtetë hyri mes flakëve dhe i shpëtoi jetën një fëmije 1-vjeç e gjysmë në Lamia, qyteti ku Dionisi u lind dhe u rrit në Greqi.

Zjarri përfshiu njërën dhomë të një shtëpie të vjetër në të cilën jetonte një grua 57-vjeçe nga komuniteti rom me tre nipërit, më i vogli prej të cilëve vetëm 18 muajsh.  Prindërit e tyre nuk ishin në momentet kur flakët përpinë banesën.

Mediat në vendin fqinj tregojnë se Dionisi ishte duke u kthyer për në shtëpi kur dëgjoi thirrje për ndihmë dhe vrapoi për të parë se çfarë po ndodhte. Sapo iu afrua vendngjarjes pa shumë tym e njërën prej dhomave të rrethuar nga flakët. Jashtë saj, gjyshja me dy fëmijët më të mëdhenj e fqinjët që vazhdimisht thërrisnin për ndihmë ishin në panik.

Kur dëgjoi njërin prej të miturve që duke qarë i tregoi se foshnja ishte brenda në shtëpi, pa u menduar dy herë, i riu shqiptar hoqi xhaketën dhe hyri në dhomën mes flakëve për të shpëtuar djalin e vogël.

Fëmija po qante e me një zë që dridhej më tha se foshnja ishte në shtëpi. Menjëherë hodha xhaketën dhe i dhashë një goditje të fortë dritares së dhomës. Hyra brenda e mora foshnjën që ishte i rrethuar nga flakët. Gjithçka ndodhi në kohë kaq të shpejtë. Fatmirësisht, fëmija shpëtoi dhe është mirë. Unë bëra atë që do të bënte çdo njeri nëse i rrezikohej jeta.

Pas një telefonate, zjarrfikësit e Lamisë shkuan në vendin ku ra zjarri e ndërhynë duke mundësuar lokalizimin e flakëve dhe shuarjen e tyre. Veprimi në kohë të shpejtë shmangu rrezikun për banesa e tjera në zonë.