Bota

Greqia nis fushatën zyrtare të kandidaturës si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së!

Ministri i Punëve të Jashtme Nikos Dendias nisi sot në Nju Jork, fushatën zyrtare të kandidaturës së Greqisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2025-2026, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Misioni i Përhershëm i Greqisë në OKB.

Kandidatura greke për t’u zgjedhur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së synon të zgjerojë gjurmën gjeopolitike të vendit në skenën ndërkombëtare.

“Greqia ka mbështetur gjithmonë dialogun dhe diplomacinë si mjetin e vetëm të zbatueshëm për të arritur qëllimet kryesore të kësaj organizate, si paqen ndërkombëtare, zhvillimin dhe promovimin e të drejtat e njeriut”, tha ministri i Jashtëm grek në prani të dhjetëra krerëve të delegacioneve të përhershme nga e gjithë bota.

“Prioritetet rajonale që ka vendosur Greqia, bazohen në parimet e multilateralizmit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare me qëllim mbrojtjen e parimeve të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, shtoi ai.

“Greqia është fuqimisht e përkushtuar për promovimin e multilateralizmit të bazuar në rregulla, bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ne do të punojmë me të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara për të mbështetur sistemin e sigurisë kolektive të themeluar nga Karta, duke u fokusuar veçanërisht në ndalimin e përdorimit të forcës”, theksoi Dendias.

“Lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe ruajtjen e lundrimit të lirë, Greqia do të punojë në Këshill për të promovuar më tej parimet e Ligjit të Detit”, tha ai.