Bota Tech

Hakerat iranianë ndërhynë në transmetimin televiziv në Emiratet e Bashkuara Arabe/Shfrytëzuan Inteligjencën Artificiale!

Hakera të mbështetur nga shteti iranian ndërprenë transmetimin televiziv në Emiratet e Bashkuara Arabe për një lajm të rremë në lidhje me luftën Izrael-Hamas. Këtë e njoftoi kompania Microsoft.

Hakerat e drejtuar nga Garda Revolucionare e Iranit ndërhynë në platformat në internet në Emiratet e Bashkuara dhe në dhjetor transmetuan një edicion lajmesh të realizuar me Inteligjencën Artificiale. Spikeri i rremë tregoi foto të paverifikuara që tregonin palestinezë të plagosur dhe të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza.

Një mesazh që pasoi për kanalet e sulmuara theksonte:

Nuk patëm zgjidhje tjetër, veçse të bënim pirateri kibernetike për të dhënë këtë mesazh. Ky shënon operacionin e parë të ndikimit të Iranit që kur Microsoft pikasi se Inteligjenca Artificiale ka luajtur rol kyç në mesazhin e dhënë dhe është shembull i zgjerimit të shpejtë e domethënës të operacioneve iraniane që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas.

Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment. Duke kaluar përtej Emirateve të Bashkuara Arabe, efektet e ndërhyrjes u ndjenë deri në Britani dhe Kanada.

“Këto incidente nënvizojnë përpjekjet më të gjera të Teheranit për të ndikuar opinionin publik”, tha kompania Microsoft.

Me një kombinim sulmesh kibernetike dhe fushatash propagandistike, qeveria iraniane është përpjekur ta dobësojë Izraelin e të ndihmojë Hamasin që nga 7 tetori kur Hamasi filloi sulmin ndaj Izraelit jugor. Puna e Iranit në mbështetje të Hamasit duket se i shërben imazhit ndikues në skenën globale, si dhe duke ndikuar më konkretisht.

Kompania Microsoft paralajmëroi se Teherani mund të përdorë Inteligjencën Artificiale për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti. Në vitin 2020, Irani zhvilloi disa operacione kibernetike që synuan të shkaktonin dhunë ndaj zyrtarëve amerikanë dhe të përçanin votuesit.

Incidentet e identifikuara nga Microsoft-i nxjerrin në pah edhe shqetësimet më të gjera të ekspertëve të teknologjisë për mënyrën si Inteligjenca Artificiale mund të përdoret për të shumëfishuar përhapjen e dezinformimit.

Analistët shprehen:

Pamjet e rreme të prodhuara me Inteligjencën Artificiale kanë kopjuar imazhin e spikereve të ndryshme të lajmeve përfshirë disa nga Zëri i Amerikës, si një mënyrë për të përhapur histori false dhe për të mbjellë mungesë besimi te edicionet informative.