Aktualitet Bota

Hungari, presidentja jep dorëheqjen pas faljes së një pedofili!

Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, ka dhënë dorëheqje, pas rritjes së zemërimit publik për vendimin e saj që të falë një burrë të dënuar për bashkëpunim në abuzime seksuale të fëmijëve.

Novak, një figurë në rritje e sipër në partinë në pushtet, Fidesz, është kthyer prej një vizite në Doha, më 10 shkurt, për të lajmëruar publikun se po largohet prej postit të saj.

“Falja e një personi ka shqetësuar shumë njerëz. Kam bërë gabim”, ka thënë ajo përmes një adresimi publik televiziv.

Novak, 46-vjeçare, është zgjedhur si presidente prej parlamentit në vitin 2022, edhe pse pozita e presidentit është ceremoniale në Hungari.

Ajo është gruaja e parë dhe personi më i ri që është zgjedhur ndonjëherë në këtë post në Hungari.

Ajo ka shërbyer më parë si ministre për Familjet. Në prill të vitit të kaluar, ajo ka falur Endre K., i cili është dënuar me më shumë se tre vjet burg në vitin 2018, pse u ka bërë presion viktimave që t’i tërheqin pretendimet për abuzime seksuale ndaj drejtorit të një strehimoreje shtetërore.

Endre ka qenë zëvendësdrejtor i institutit. Drejtori është dënuar me tetë vjet burgim për abuzim të të paktën 10 fëmijëve në periudhën 2004-2016.

Lajmi për falje është bërë i ditur më 2 shkurt, kur një medium lokal ka raportuar për të. Presidentes nuk i është kërkuar të publikojë listën e plotë të personave të falur. Kryeministri autoritar i Hungarisë, Viktor Orban, nuk është dëmtuar prej këtij skandali.

Orban, 60-vjeçar, i cili është në pushtet prej vitit 2010, e ka pozicionuar veten si kampion të vlerave tradicionale familjare.

Në një deklarim të vetëm publik për këtë çështje, ai ka bërë thirrje për ndryshime në Kushtetutë, që të parandalohet falja e abuzuesve të fëmijëve në të ardhmen.