Bota

Hungaria pritet të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO, sot votimi në parlament!

Duket se pritjes i erdhi fundi. Sot Hungaria do të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO, duke larguar pengesën e fundit të mbetur, në mënyrë që shteti nordik të bëjë një hap historik dhe të bëhet anëtari i 32-të i Aleancës Veri-Atlantike.

Në Parlamentin hungarez, votimi pritet që të kalojë pa probleme, pas vizitës që kryeministri suedez, Ulf Kristersson zhvilloi të premten e kaluar në këtë shtet, vizitë gjatë së cilës Hungaria dhe Suedia nënshkruan një marrëveshje për armët.

Hungaria është shteti i fundit që ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në Aleancë. Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022-shin, pra dy vjet më parë, Suedia, së bashku me Finlandën hoqën dorë nga politika e tyre e neutralitetit ushtarak dhe kërkuan të bëhen pjesë e NATO-s.

Finlanda u bë anëtare e NATO-s vitin e kaluar, ndërsa Suedia u përball me vonesa në ratifikim nga Turqia, si dhe nga Hungaria. Që të dy këto shtete kanë raporte të mira me Rusinë e Putinit.

Fillimisht, ishte Turqia që kërkoi nga Suedia të ndërmerrte veprime më të ashpra kundër militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit të cilët gjenden në shtetin Suedez dhe kjo në këmbim të ratifikimit të anëtarësimit në NATO.

Suedia ndryshoi ligje, si dhe zbuti rregullat për shitjen e armëve, në mënyrë që të plotësonte kërkesat e Turqisë. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka lidhur ratifikimin edhe me miratimin e shitjes së avionëve amerikanë F-16 për Turqinë e tani, Ankaraja pret që të punojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ketë një mbështetje në Kongres për shitjen e këtyre mjeteve fluturues luftarakë.

Ndërkaq, hezitimi i Hungarisë për ratifikuar pranimin e Suedisë, kryesisht kishte të bënte me kritikat suedeze për demokracinë në Hungarinë e udhëhequr prej një kohe të gjatë nga kryeministri nacionalist Viktor Orban.

Me pranimin e Suedisë dhe të Finlandës më herët, NATO shënon zgjerimin më të madh që prej viteve ’90.