Bota Tech

I alarmuar për Inteligjencën Artificiale, Elon Musk: Të shmangim skenarin Terminator!

Inteligjenca Artificiale paraqet rreziqe të thella për shoqërinë dhe njerëzimin ndaj duhet një pauzë prej të paktën gjashtë muajsh në zhvillimin e sistemeve më të përparuara”. Alarmi jepet nga Elon Musk dhe 1 mijë studiues e të tjerë drejtues të kompanive, të angazhuar për të shmangur “skenarin e Terminatorit”, që kërkojnë të përpunohen protokolle të përbashkëta të sigurisë. Letra e publikuar nga Instituti Future of Life, po merret shumë seriozisht. Mes firmëtarëve edhe bashkëthemeluesi i Apple-it, Steve Wozniak apo ata të Pinterest e Skype.

Fanatik i teknologjisë, miliarderi Musk ka investuar në kompani të Inteligjencës Artificiale dhe ishte në bordin e OpenAI, siç është shprehur “jo për të fituar, por për të vazhduar me hapin e kohës, për të mësuar rreth këtyre teknologjive”.

Në fakt, “të mëdhenjtë” nuk e kanë me të gjithë Inteligjencën Artificiale, por me sistemet më të avancuara të GPT-4, chatbot-in OpenAI, i aftë për të treguar shaka e për të kaluar lehtësisht provimet, si ai për t’u bërë jurist.

Sistemet e fuqishme të Inteligjencës Artificiale duhet të zhvillohen vetëm kur ka besim se efektet e tyre do të jenë pozitive, ndërsa rreziqet “të menaxhueshme”. Letra paralajmëron kundër një gare jashtë kontrolli për zhvillimin e mendjeve të fuqishme dixhitale, që as krijuesit e tyre nuk mund t’i kuptojnë e parashikojnë.

Shmangia e “Efektit Terminator”

Një garë e cila nëse nuk ndalet, rrezikon të bëjë realitet protagonistin fantastiko-shkencor të “Terminator”-it të James Cameronit dhe vendimin e tij për të shkatërruar njerëzimin. Po ashtu ekziston frika për t’i futur këto sisteme të fuqishme në duar të gabuara, ndoshta me pasoja shkatërruese.

Në Kongresin Amerikan ka zëra që paralajmërojnë se Inteligjencën Artificiale, Kina e sheh si një mjet ose armë për të përsosur mbikëqyrjen e saj tekno-totalitare.

Pikërisht, frika e pasojave katastrofike i shtyu kompanitë e mëdha të teknologjisë të kërkojnë një pauzë gjashtëmujore për t’u përdorur për zhvillimin dhe zbatimin e protokolleve të përbashkëta që garantojnë sigurinë e sistemeve, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Letra vazhdon me një thirrje drejtuar laboratorëve të Inteligjencës Artificiale:

Sistemet aktuale bëjini më të sakta, transparente, të besueshme dhe besnike, në vend që të nxitoni drejt zhvillimit të mjeteve akoma më të fuqishme. Të shijojmë një verë të gjatë të Inteligjencës Artificiale e të mos nxitojmë në vjeshtë të papërgatitur!