Bota

India proteston ndërtimet e Kinës në rajonin e kontestuar kufitar!

New Delhi ka reaguar sot ndaj njoftimit të Pekinit për ndërtime infrastrukture në akullnajën Siachen. India ka depozituar një ankesë ndaj Kinës për ndërtimin e nisur nga kjo e fundit, të një rruge në luginën Shaksgam, zonë që i është dhënë Kinës nga Pakistani në vitin 1963, por për të cilët India ka gjithashtu pretendime territoriale.

Duke reaguar ndaj imazheve të fundit satelitore New Delhi ngriti dje kritikat për ndërtimet që Kina po bën në akullnajën Siachen– territori mes Kinës e Pakistanit, i quajtur më parë ‘fushëbeteja më e lartë në botë’ shkruan rrjeti The Guardian. Në prill rrjeti ‘India Today’ raportonte se:

Një rrugë po ndërtohet në luginën Shaksgam në provincën kineze Xinjiang e cila më pas zhduket mes maleve rreth 50 km larg kufirit verior të Indisë, në akullnajën Siachen.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme indiane Randhir Jaiswal, në New Delhi, tha:

Ne nuk e kemi pranuar kurrë të ashtuquajturën marrëveshje kufitare mes Kinës e Pakistanit në 1963 dhe vijojmë të shprehim mospranimin.

Në vitin 1963 ish ministri i jashtëm kinez Chen Yi, dhe homologu pakistanez Zulfikar Ali Bhutto, nënshkruan marrëveshjen ku 5,180 kilometra katrorë i jepeshin Kinës në luginën Shaksgam. Zona gjendet brenda rajonit të Kashmir për të cilën kanë konflikte dhe India e Pakistani, që prej pavarësisë së tyre nga Britania. Më herët Pekini ka protestuar kur kryeministri indian Modi ishte një rajonin e kontestuar në mars për të inauguruar një tunel rrugor të ndërtuar aty, si dhe për ndryshimet e emrave të vendndodhjeve nga të dyja palët.