Celebrities Film & Tv

“Inside” Një monodramë kotësie. Kritikë.

Vasilis Katsoupis është një regjisor grek (Lindur në Volos në 1977) me reputacion të lartë në kinemanë e viteve të fundit, kryesisht për filmin e tij dokumentar “My Friend Larry Gus” (2015). “Inside” është filmi i tij i parë artistik. Me skenar të britanikut Ben Hopkins dhe protagonist Willem Dafoe, ky film klaustrofobik luan me dëshpërimin dhe panikun e të qënit brenda një apartamenti ultra luksoz, i dekoruar me copëza të shtrenjta të artit bashkë-kohor, pa rrugëdalje.

Dafoe është në këpucët e Nemo, një hajdut i klasit të lartë, në përpjekje për të zgrapur disa kryevepra të artit modern që ndodhen në një penthouse në majat e larta të qiellgërvishteve të Manhattanit, në pronësi të një plutokrati shtëpia e të cilit të ngjason më shumë me MOMA-n (Muzeu i Artit Modern në New York) sesa një njësi banimi. Në kërkim të një autoportreti të Egon Schiele, Nemo i lidhur me radio me bashkëpunëtorin e tij, ka vetëm pak minuta për të gjetur atë që po kërkon dhe për t’u larguar nga një apartament i cili ka më shumë siguri sesa Shtëpia e Bardhë. Minutat përfundojnë pa e gjetur, dhe Dafoe përfundon i burgosuri i një shtëpie të çuditshme e cila duket sikur ‘mendon’ me kokën e saj – pavarësht se pronari i saj ndodhet mijëra milje larg, në Kazakistan.

Nemo përpiqet të dalë – por kupton që shtëpia ishte më e lehtë për të hyrë brenda – por e pamundur për të dalë jashtë. Sistemi qëndror i saj pëson një avari mbas përpjekjeve të tij të dështuara për ta çmontuar duke qarkulluar fillimisht ajër shumë të ngrohtë, më pas shumë të ftohtë. Brenda orësh Nemo kupton se nuk ka më ujë të rrjedhshëm, ushqimi është i kufizuar, dhe se e vetmja gjë me tepri janë veprat e shkëlqyera të artit të kyçura aty bashkë me të.

Kështu fillon një epope përpjekjesh për t’u arratisur nga burgu oligark i një Robinson Kruzoje post-modern. Një histori mbijetese në kushte çnjerëzore të një vendi që duket sikur ka çdo gjë – por që në fakt nuk ka asgjë, një qeli e arreduar nga Architectural Digest, më e ashpër se një qeli burgu në Guantanamo.

Përtej pyetjeve normale që të vijnë në mendje gjatë kohës që je duke parë filmin – të llojit si ka mundësi që skifteri high class nuk ka një telefon me vete – interpretimi i Dafoe nuk zhgënjen asnjëherë. Nuk ka dyshim që ky film është Dafoe po aq sa dekori i set-it sepse nuk ka asgjë tjetër që të jep. Sipërfaqësoriteti i të vetmit personazh të filmit është i njëjtë me ftohtësinë e asaj galerie private arti. Mbase qëllimi i krijuesit të tij ka qënë pikërisht steriliteti shpirtëror i një koleksionuesi të artit shumë miliona dollarësh. Përpjekja e regjisorit për të qëruar qepën e për t’i dhënë kuptim Nemos është e [kasi e] dështuar duke e kthyer filmin në argëtues për aq sa e sheh, por në listën e atyre filmave që nuk do të kesh dëshirën për ta parë prapë apo që nuk do t’ia rekomandosh askujt për ta parë.

Martirizimi i Nemos, fillimisht si hajdut, më pas si një artist autodidakt, mund të ketë kuptim vetëm në kokën e Katsoupis dhe Hopkins por nuk përthithet dot nga audienca, e cila e priti filmin me kritika mikse që kur u shfaq për herë të parë në Festivalin e Filmit të Berlinit rreth 2 vite më parë. Perpjekja e tyre për të zhvilluar një narrative progresiste ndihmuar nga mjeshtëria e një artisti të jashtëzakonshëm si Willem Dafoe është ambicioze por nuk ngrihet në nivelin e këtij të fundit që është në absolut arsyeja pse dikush do e shohë filmin, por që do të zhgënjehet disi mbasi ta ketë parë dhe jo për faj të Dafoe.