Bota

Dhoma e Përfaqësuesve miraton një projektligj për furnizimin e Izraelit me armë!

Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, sfidoi vendimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden për pezullimin e dërgesave të bombave në Izrael dhe miratoi një projektligj, që synon të detyrojë administratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë që të transferojë armët. Republikanët u përpoqën të nxirrnin në pah ndasitë mes demokratëve mbi luftën Izrael-Hamas, grupit radikal palestinez e që vijon prej tetorit të vitit të kaluar.

Në përpjekje për të frenuar shtetin hebraik nga ndërmarrja e një ofensive në shkallë të gjerë në Rafah, këtë muaj, administrata e presidentit Joe Biden pezulloi një dërgesë armësh prej 3 mijë e 500 bombash, disa prej të cilave peshojnë deri në 900 kilogramë e që mund të shkaktojnë vrasjen e qindra njerëzve në zonat e populluara. Republikanët u shprehën të indinjuar nga vendimi, duke akuzuar Biden-in për braktisjen e aleatit më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme.

Debati mbi projektligjin në Dhomës së Përfaqësuesve, i nxitur nga udhëheqja republikane këtë javë nënvizoi ndasitë e thella në Uashington mbi luftën Izrael-Hamas.

Shtëpia e Bardhë dhe udhëheqja demokrate u detyruan të mobilizoheshin për të ruajtur unitetin e grupit të ligjvënësve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, të përbërë nga anëtarë të moderuar që nuk janë të kënaqur me mosmarrëveshjet SHBA-Izrael dhe anëtarët progresistë që janë të indinjuar që presidenti Biden po vazhdon ta furnizojë Izraelin me armë.

Projektligji u miratua me 224 vota pro dhe 187 kundër. 16 demokratë u bashkuan me shumicën republikane për të mbështetur draftin. Tre republikanë votuan kundër tij.

Sot Izraeli do të përgjigjet ndaj akuzës për gjenocid në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara, pasi Afrika e Jugut dorëzoi një kërkesë urgjente duke kërkuar që të lëshohet urdhri për armëpushim në Gaza.

Kjo është hera e tretë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) mban seanca dëgjimore për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, që kur Afrika e Jugut ngriti çështje në muajin dhjetor 2023 pranë kësaj gjykate që e ka selinë në Hagë.

Një ditë më parë, Afrika e Jugut i tha gjykatës se situata në Gaza ka arritur “në një fazë të re dhe të tmerrshme” e iu bëri thirrje 15 gjyqtarëve që të ndërmarrin veprime urgjente. Izraeli duhet që “plotësisht dhe pa kushte” të tërhiqet nga Rripi i Gazës, u shpreh Vusimuzi Madonsela, ambasador i Afrikës së Jugut në Holandë.

Afrika e Jugut ka dorëzuar katër kërkesa në GJND për të hetuar Izraelin. Referuar kërkesës më të fundit, shteti tha se inkursioni ushtarak i Izraelit në Rafah kërcënon “mbijetesën e palestinezëve në Gaza”.