Bota

Iran, a do të sjellë ndryshime vdekja e Raisit?

Sipas Associated Press, mes komunitetit iranian nga Londra në Los Anxhelos, pak lot po derdhen për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi, gjatë një aksidenti me helikopter fundjavën e kaluar. Por gjithashtu nuk ka gjithmonë brohoritje të forta. Ndërsa disa prej iranianëve në botë shpresojnë se vdekja e një figure të fuqishme në qeverinë autoritare islamike të Iranit mund të sjellë ndryshim, të tjerët kanë frikë se kjo mund të rezultojë në më shumë shtypje.

Brenda Iranit, autoritetet po e mbajnë të fshehtë reagimin ndaj aksidentit që shkaktoi vdekjen e Raisit, ministrit të Jashtëm Hossein Amirabdollahian dhe gjashtë të tjerëve. Qeveria shpalli pesë ditë zie, duke inkurajuar njerëzit të dalin në rrugë në shfaqje të pikëllimit e mbështetjes publike.

Prokurorët kanë paralajmëruar iranianët për rrezikun e çdo festimi publik duke vendosur një prani të madhe të forcave të sigurisë në rrugët e Teheranit. Jashtë Iranit, disa emigrantë u ndjenë mjaft të guximshëm për të kërcyer në rrugë.

Nazenin Ansari, redaktor i “Kayhan London”, një faqe interneti lajmesh për iranianët jashtë vendit, kritike ndaj teokracisë së vendit, tha se brenda disa orësh pas njoftimit të vdekjes së Raisit, iranianët u mblodhën në qytete në të gjithë Europën e më gjerë për të festuar.

Diaspora iraniane është e madhe, duke përfshirë ata që u larguan menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe ata që ikën nga represioni i vazhdueshëm ose vështirësitë ekonomike. Më shumë se gjysmë milion iranianë jetojnë në SHBA, pjesa më e madhe në Kaliforni dhe ka komunitete të mëdha në qytetet europiane, duke përfshirë Londrën, Parisin e Stokholmin.

Disidentët kanë shpërndarë video në mediat sociale e që tregojnë dhjetëra iranianë duke kërcyer e brohoritur në rrugët e Torontos në Kanada e të Këlnit, Gjermani. 63 vjeçari Raisi u kritikua nga kundërshtarët dhe u sanksionua nga SHBA-të për rolin e tij në ekzekutimet masive të të burgosurve politikë në fund të luftës së gjatë të Iranit me Irakun, në vitet 1980.

Shumë prej tyre e konsiderojnë Raisin përgjegjës edhe për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgim në shtator të vitit 2022, pasi u ndalua nga Policia e Moralit për shkelje të ligjit të detyrueshëm të Iranit të mbajtjes së shamisë.

Prej kohësh, Raisi konsiderohej një pasardhës i mundshëm i udhëheqësit suprem të Iranit, 85-vjeçarit Ayatollah Ali Khamenei në duart e të cilit qëndron pushteti dhe vdekja e tij mund ta komplikojë këtë proces.

Por, paqëndrueshmëria afatshkurtër duket e pamundur. Nënkryetari i parë Mohammad Mokhber është emëruar president i përkohshëm dhe zgjedhjet presidenciale janë shpallur për më 28 qershor.