Aktualitet Bota

Irani dënon me burg dy gazetaret që raportuan për vdekjen e Aminit në paraburgim

Një gjykatë iraniane ka dënuar me burg dy gazetare për shkak se ato kishin raportuar për vdekjen në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini në vitin 2022.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA, raportoi se Niloofar Hamedi u dënua me shtatë vjet burgim, ndërsa Elahah Mohammadi me gjashtë vjet burim nën akuzat se kishin “bashkëpunuar me Qeverinë armiqësore amerikane”.

Ato morën edhe dënime shtesë me nga pesë vjet burgim secila për “veprimin kundër sigurisë kombëtare” dhe nga një vjet burgim për “propagandë kundër sistemit”.

Avokatët e gazetareve thanë e ato i kanë hedhur poshtë akuzat.

Hamedi ishte arrestuar pasi i kishte fotografuar prindërit e Aminit duke u përqafuar në një spital në Teheran në kohën kur vajza e tyre ishte në koma.

Mohammadi u arrestuar më vonë pasi raportoi për varrimin e Aminit në qytetin e vet Saqez.

Ato kanë të drejtë të ankohen ndaj dënimeve me burg.

Mohammadi është gazetare e gazetës Ham Mihan, ndërsa Hamedi fotografe e gazetës Shargh.

Të dyja po mbahen në burgun famëkeq të Teheranit, Evin, që nga shtatori 2022.

Javën e kaluar, avokati i Aminit, Saleh Nikbakht, u dënua me një vjet burgim për propagandë kundër shtetit dhe për komentimin e rastit në mediat vendore dhe ndërkombëtare.

Mahsa Amini, një vajzë vetëm 22 vjeç, vdiq si pasojë e dhunës së Policisë së Moralit në Iran, vetëm se nuk kishte vënë siç duhet shaminë e njohur edhe si hixhab.

Dëshmitarët okularë thanë se Mahsa Amini u rrah barbarisht ndërsa ishte brenda një furgoni policie në Teheran. Policia mohoi akuzat, duke pretenduar se Amini “papritur kishte pësuar një problem në zemër”. Por familja e vajzës thotë se ajo ishte mjaft e shëndetshme.

Shumë iranianë, përfshirë dhe zyrtarë qeveritarë, po shprehin zemërimin e tyre në platformat e mediave sociale në lidhje me vetë ekzistencën e Policisë së Moralit, e njohur gjithashtu si Patrulla Udhëzuese dhe po përdorin hashtags duke i quajtur ato Patrulla Vrasjeje.

Reagime edhe më të ashpra u shprehën edhe nga aktivistë, mbrojtës të të drejtave të njeriut e mjaft figura të njohura në të gjithë botën.

Shkrimtarja turke Elif Shafak në një dedikim kushtuar Mahsa Aminit shkruan: “Ndihem kaq e trishtuar sa nuk dija çfarë të shkruaja gjithë ditën! Më dhemb zemra. Thuajeni emrin e saj! Kujtojeni me respekt! Ne vijmë nga vende me kultura të ngjashme. Më dhemb zemra për ty motër!”

Në mediat sociale janë shfaqur video që shfaqin oficerët që i ndalojnë gratë, i tërheqin zvarrë në tokë dhe i largojnë me forcë.

Shumë iranianë fajësojnë drejtpërdrejt liderin suprem, Ali Khamenei. Një fjalim i tij i vjetër, në të cilin ai justifikon rolin e Policisë së Moralit dhe këmbëngul se nën sundimin islam gratë duhet të detyrohen të respektojnë kodin islam të veshjes po rishpërndahet në rrjetet sociale.

Episodi i fundit duket sa do të thellojë edhe më tepër ndarjen midis një pjese të madhe të shoqërisë së re dhe të gjallë të Iranit dhe sundimtarëve të saj radikalë, ndarje që duket gjithnjë e më e vështirë për t’u rregulluar.