Bota

Ish-kryeministri izraelit Bennett: Putin më premtoi se nuk do e vriste Zelenskyn!

Ish-kryeministri izraelit, Naftali Bennett, tha se ka marrë premtim nga presidenti rus, Vladimir Putin që nuk do ta vrasë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Për një periudhë të shkurtër, ai shërbeu si ndërmjetësues mes Rusisë e Ukrainës. Madje ka qenë një prej liderëve të paktë që takuan shefin e Kremlinit, pak javë pas nisjes së luftës në Ukrainë, rreth një vit më parë.

Ndonëse përpjekjet e Bennettit për ndërmjetësim mes dy vendeve patën pak rezultat në ndalimin e luftimeve, disa deklarata të bëra në një intervistë, vënë në pah diplomacinë dhe masat urgjente që janë marrë për të ulur shkallën e konfliktit në ditët e para. Në një intervistë pesë orëshe, Bennett preku shumë tema e ndër të tjera u shpreh se i pati kërkuar Putinit nëse synon ta vrasë Zelenskyn?

E kam pyetur, si është puna më të? A jeni duke planifikuar vrasjen e Zelenskyt? Ai më ka thënë se nuk do ta vrasë Zelenskyn. Më pas i kam kërkuar që të më jepte fjalën se nuk do ta vriste Zelenskyn. Ai deklaroi se nuk do ta vrasë Zelenskyn.

Më tej Bennett bëri të ditur se telefonoi Zelenskyn për ta informuar rreth premtimit të Putinit.

Më dëgjo, dola prej takimit, ai nuk do të të vrasë. Ai më pyeti, a jeni i sigurt? I kam thënë se ai nuk do ta vrasë.

Gjatë ndërmjetësimit, Putin hoqi dorë nga kërkesa për çarmatosje të Ukrainës dhe Zelensky u tërhoq nga anëtarësimi i Ukrainës në NATO.

Bennett, një lider kryesisht i patestuar meqë në pushtet qëndroi vetëm gjashtë muaj, e ka zhytur veten në diplomaci ndërkombëtare pak pas nisjes së luftës, për shkak të lidhjeve që ka Izraeli me Rusinë dhe Ukrainën.

Izraeli ka lidhje të mira me Kremlinin dhe i konsideron “strategjike” kur ka kërcënime nga Irani. Por, po ashtu mban anën e kombeve perëndimore e tenton të tregojë mbështetje edhe për Ukrainën. Luftën e nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, e quan “operacion special ushtarak”.

Perëndimi u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.