Aktualitet

Iu vu eksploziv në banesë, gjykatësi i Shkodrës Tonin Sterkaj: Nuk kam dijeni për autorin!

Eksplozivi në banesën e Tonin Sterkajt në Shkodër, gjykatësi thotë se nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori. Ndërsa policia vijon hetimet, paraprakisht bëhet e ditur se kamerat e sigurisë kanë regjistruar pamje të një personi i maskuar e me rroba në ngjyrë të errët që pasi vuri sasinë e lëndës plasëse u largua në këmbë përmes rrugicave të zonës. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, por dëme materiale.

Ky shpërthim me lëndë plasëse u regjistrua rreth orës 03:00 të mëngjesit. Tonin Sterkaj është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Banesa e 62-vjeçarit gjendet në lagjen “Tom Kola” të qytetit verior. Në vendngjarje, grupi hetimor po vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Pista kryesore e hetimit është ajo për shkak të detyrës së tij si gjyqtar.

Më herët, Policia e Shkodrës doli me një njoftim zyrtar: 

Rreth orës 03:13, në lagjen “Tom Kola”, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetasit T. S., 62 vjeç, (me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër) është hedhur lëndë plasëse.

Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin në zonë. Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për  sigurimin e provave me qëllim  identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.