Sport

Ka luajtur në 4 Kupa të Botës, Fernando Muslera tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar!

Portieri i kombëtares së Uruguait, Fernando Muslera, i cili ka luajtur në katër Kupa Bote, njoftoi tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar. 37-vjeçari luajti 133 ndeshje për ‘La Celeste’, duke e ndihmuar skuadrën të fitojë Kupën e Amerikës 2011. Ai mbetet ende lojtar aktiv i klubit turk Galatasaray, teksa shumëkush e kujton si pjesë e Lazios në Serie A.

Shoqata e futbollit të Uruguait falënderoi Musleran në kanalet e saj të mediave sociale me një video që shfaq disa nga momentet e tij më të mira, duke përfshirë fitoren me penallti ndaj Ganës në çerekfinalen e Kupës së Botës 2010.

Muslera priti gjuajtjet e John Mensah dhe Dominic Adiyiah për t’i dhënë Uruguait një fitore 4-2 dhe një vend në gjysmëfinale kundër Holandës. “Ti ia dole, Nando, emri yt është në historinë e pasur të futbollit uruguaian”, shkruan shoqata e futbollit të vendit nga Amerika Latine.