Bota

Kancelari Scholz: Në Gjermani po rriten rrjetet e errëta neo-naziste!

79 vjet pas çlirimit të kampit famëkeq të Aushvicit, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, sot shprehu shqetësimin e tij lidhur me konstatimet për rritjen e prirjeve të ekstremit të djathtë në shtetin gjerman. Në një fjalim të regjistruar me video, në përkujtim të 27 janarit 1945, ditës së çlirimit të Aushvicit nga trupat sovjetike, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, socialdemokrati Olaf Scholz deklaroi:

Të dhëna të reja po shfaqen gjatë gjithë kohës, për neo-nazistët e rrjetet e tyre të errëta. Në të njëjtën kohë, populistët e krahut të djathtë po fitojnë terren, duke ushqyer frikë e duke mbjellë urrejtje. Një gjë e tillë nuk duhet pranuar.

Ndërkohë, protestat kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) kanë marrë vrull në Gjermani. Kjo pas njoftimeve se dy anëtarë të lartë të partisë iu bashkuan një takimi, për të diskutuar planet lidhur me dëbimin masiv të qytetarëve me origjinë të huaj. Demonstratat në mbarë vendin po hyjnë në javën e tyre të tretë e nuk kanë ndërmend të ndalen.

Protestuesit kërkojnë të frenojnë mbështetjen për AfD-në, një parti që renditet e dyta në nivel kombëtar dhe e para në tre shtetet lindore të Gjermanisë, që mbajnë zgjedhje këtë vit.

Në mesazhin e tij, kancelari Scholz theksoi:

Eshtë kohezioni i demokratëve që e bën demokracinë tonë të fortë. Ta tregosh këtë në formë besimi, në publik, siç po ndodh tani është gjë e mirë.

Kancelari përshëndeti gjithashtu një vendim historik për të shkurtuar fondet për partinë radikale të krahut të djathtë “Die Heimat”. Në anën tjetër kjo ka ndezur edhe një debat nëse një hap i ngjashëm mund të ndërmerret kundër partisë nacionaliste AfD.

Duke iu referuar vendimit në fjalë, kancelari Olaf Scholz nuk e fshehu kënaqësinë e dha këtë vlerësim:

Shumë mirë!

Këtë vit, Dita e Kujtesës, me të cilën bota kujton “tmerrin e Shoah-s” përkon me zhvillimet në Lindjen e Mesme ku prej 7 tetorit të kaluar zhvillohet një luftë e ashpër mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian dhe që rreth 4 muaj më parë sulmoi jugun e Izraelit me raketa. Mbi 1 mijë e 200 vetë u vranë dhe rreth 250 u morën peng. Ndërkaq, ofensiva ushtarake izraelite në Rripin e Gazës ka vrarë mbi 25 mijë persona, shumica gra dhe fëmijë.