Bota

Kaos në kufirin SHBA-Meksikë pas skadimit të “Artikullit 42”!

“Artikulli 42” pjesë e një ligji që rregullon emigracionin në mbrojtje të shëndetit publik të amerikanëve dhe i vendosur për shkak të pandemisë COVID-19, skadoi sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo po shkakton kaos në kufirin e vendit me Meksikën. Qindra mijëra azilkërkues meksikanë nxituan të hynin në Shtetet e Bashkuara përpara se të vendoseshin rregullat e reja të shpallura nga administrata e presidentit Joe Biden.

Rregullorja e skaduar ishte vendosur gjatë presidencës së Donald Trump-it kur drejtoi Shtëpinë e Bardhë dhe ka qenë në fuqi që nga muaji mars i vitit 2020 ndërsa zyrtarëve e policëve të kufirit u kishte mundësuar që të kthenin azilkërkuesit në kufi, me arsyetimin e parandalimit të përhapjes së COVID-19/ës.

Qytetarë të shumtë, duke përfshirë fëmijë shiheshin mbrëmjen e djeshme teksa po ecnin përgjatë një pjese të kufirit të Shteteve të Bashkuara të rrethuar me tela me gjemba. Ata dukeshin të pasigurt se ku të shkonin ose çfarë të bënin më pas.

Autoritetet amerikane kanë njoftuar një sërë masash rigoroze që synojnë frenimin e kalimeve të paligjshme të kufijve, së bashku me krijimin e rrugëve të ligjshme që emigrantët mund të ndjekin. Sipas këtyre masave të reja, emigrantët e mundshëm mund të aplikojnë në internet, të gjejnë një mbështetje e më tej t’i nënshtrohen kontrolleve të së kaluarës së tyre.

Suksesi i këtyre reformave ka potencialin për të transformuar ndjeshëm mënyrën me të cilën emigrantët i afrohen kufirit Shtetet e Bashkuara të Amerikës-Meksikë. Numri i emigrantëve në kufirin e SHBA-ve u rrit që nga koha kur presidenti Joe Biden mori detyrën në janar të vitit 2021, pjesërisht i nxitur nga problemet ekonomike, pasiguria dhe shtypja politike në vende si Venezuela, Kuba e Nikaragua.

Që nga fillimi i punës së administratës së presidentit Biden, një rekord prej 4.6 milion emigrantësh të paligjshëm janë arrestuar duke kaluar kufirin ilegalisht.