Bota

Katër astronautë rikthehen në Tokë me anijen kozmike të Space X-it

Një anije kozmike e kompanisë private amerikane SpaceX riktheu në Tokë katër astronautë nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor.

Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA njoftoi sot se Mike Hopkins, Victor Glover, Shannon Walker dhe Soichi Noguchi u ulën në Gjirin e Meksikës, në 03:00 të mëngjesit, me orën lokale. Për një ekip amerikan astronautësh, kjo ishte edhe e para ulje ende pa zbardhur dita, që prej misionit “Apollo 8”, përpara 53 vitesh.

Rikthimi në Tokë i planifikuar për më 29 prill por i shtyrë për shkak të erërave të forta, u bë me të njëjtën anije kozmike të shfrytëzuar për të shkuar në Hapësirë, nëntorin e kaluar. Me 167 ditë në Hapësirë, misioni i katër astronautëve rezulton më i gjati mes atyre të nisur deri tani nga Shtetet e Bashkuara. SpaceX që do të ndërtojë anije kozmike për në Hënë, planifikon të realizojë një mision privat në Hapësirë në shtator dhe një tjetër me astronautë të NASA-s, në tetor.

Prej vitesh, NASA bashkëpunon me kompani private për shërbimet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Një vit më parë, kompania SpaceX në pronësi të Elon Musk-ut, kreu fluturimin e parë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës duke i dhënë fund varësisë së NASA-s ndaj Rusisë për dërgimin atje të astronautëve. Për vitin e ardhshëm, plane të ngjashme ka edhe kompania Boeing.