Aktualitet Rajoni

Kenia drejt njohjes së Kosovës, Osmani takohet me presidentin e vendit!

Në kërkim të njohjes nga Kenia, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me William Ruton, presidentin e shtetit në lindje të Afrikës.

Osmani dhe Ruto u takuan në Dubai, ku po mbahet konferenca globale për ndryshimet kimatike.

“Presidentja Osmani ka theksuar se thellimi i raporteve në mes të dy shteteve është në të mirë të qytetarëve tanë dhe do ta nxisë shkëmbimin ekonomik e tregtar në mes të vendeve tona. Ajo e njoftoi Presidentin e Kenias për sfidat në të cilat ka kaluar Kosova si dhe për të arriturat e shtetit tonë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Presidentja Osmani dhe Presidenti Ruto rikonfirmuan përkushtimin e përbashkët për të punuar drejt thellimit raporteve në mes të Kosovës dhe Kenias”, thuhet në njoftim.

Ky nuk është takimi i parë midis Osmanit dhe Rutos. Dy udhëheqësit ishin takuar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku edhe ishin zotuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.

Se ky shtet do ta njohë Kosovën kishte paralajmëruar më parë edhe ministri i Jashtëm kenian Alfred Mutua në një konferencë për media në Nairobi.

Ai tha se janë duke u zhvilluar diskutime që ky shtet ta njohë plotësisht pavarësinë e Kosovës, shkruante gazeta “Kenyan Foreign Policy”.

Osmani gjatë ditës ka takuar edhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ku është biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçamërisht në rritjen e investimeve në energji, shëndetësi, turizëm dhe sektorë strategjikë.