Bota

Kërcënimet iraniane, Biden: E palëkundur mbështetja jonë për Izraelin!

Presidenti Joe Biden, i premtoi Izraelit mbështetje të “palëkundur” amerikane, pas shqetësimit të vazhdueshem se Teherani mund të hakmerret për një sulm nga i cili u vranë dy gjeneralë të lartë iranianë. Eshtë fjala për atë të para 10 ditëve ndaj konsullatës iraniane në Siri. Teherani akuzoi Izraelin.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh:

Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur sigurinë e Izraelit.

Një ditë më parë, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se sulmi i Izraelit në Damask ishte i barasvlershëm me një sulm kundër vetë Iranit. Në një fjalim televiziv paralajmëroi:

Kur ata sulmuan zonën e konsullatës sonë ishte sikur të sulmonin territorin tonë. Regjimi i keq duhet të ndëshkohet dhe do të ndëshkohet!

Pak ditë më parë, CBS News raportoi se inteligjenca amerikane ka lënë të kuptohet se Teherani është duke planifikuar një sulm që do të përfshijë dronë Shahed dhe raketa lundruese. “Nuk dihet shënjestra e as koha e sulmit të mundshëm, por goditja e një ndërtese diplomatike izraelite do të ishte përgjigje proporcionale”, thuhet në raport.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë pasi priti kryeministrin japonez, Fuimo Kishida, presidenti Biden theksoi:

Siç i thashë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, përkushtimi ynë ndaj sigurisë së Izraelit kundër këtyre kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij, është i palëkundur. Më lejoni ta them prapë: i palëkundur!

Më 7 prill, një këshilltar i lartë ushtarak iranian e paralajmëroi Izraelin se asnjëra prej ambasadave të këtij vendi nuk janë më të sigurta, pas asaj që ndodhi në kryeqytetin sirian, Damask.

Tensionet rajonale janë rritur duke kërcënuar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, teksa vijon prej më shumë se 6 muajsh, lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Komentet e gjeneralit Rahim Safavi, i cili është këshilltar ushtarak i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, lanë të kuptohet se Republika Islamike e Iranit nuk do të hezitojë që t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë sulmit ndaj ambasadës iraniane në Siri më 1 prill ku mbetën të vrarë dy gjeneralët iranianë.