Bota

Kërkesa për rritje pagash, grevat bllokojnë transportin publik në Gjermani!

Në Gjermani, sot rrjeti i transportit do të jetë pothuajse i bllokuar, për shkak të grevave të dy sindikatave më të mëdha të punëtorëve në këtë vend. Në minutat e para të 27 marsit, stafet në aeroporte, porte detare, hekurudha, autobusë dhe metro, nisën grevën 24-orëshe, të paralajmëruar më herët.

Sindikatat janë duke kërkuar paga më të larta, në mënyrë që punëtorët ta kenë më të lehtë që të përballen me rritjen e çmimeve. Deri tani janë mbajtur disa greva më të vogla në Gjermani, por kjo e ditës së sotme, gjerësisht konsiderohet më e madhja në dekada.

Sindikata Verdi përfaqëson rreth 2.5 milion punëtorë në sektorin publik të Gjermanisë, ndërsa ajo EVG, afro 230 mijë. Teksa Verdi kërkon 10.5 për qind rritje të pagës për stafin, EVG pretendon më shumë duke kërkuar që rritja të jetë prej 12 për qind.

Operatori kombëtar i hekurudhave, Deutsche Bahn reagoi dhe i dënoi planet për greva. Në një deklaratë i përshkruan si “të pabaza” e “të panevojshme”, por sindikatat nuk tërhiqen nga kërkesat.

Për të minimizuar pasojat negative në furnizimin e popullsisë gjermane, dje në shumë lande u lejua zbutja e rregullores për ndalimin e qarkullimit të mauneve në autostrada. Ministri federal i Transportit, Volker Wissing u shpreh për lehtësimin e rregullave. Ai apeloi që të gjithë pjesëmarresit të tregohen të përgjegjshëm për të reduktuar sa më shumë pasojat e grevës.

Frika se në Gjermani grevat mund të çojnë në trazira si në Francë është shprehur shpesh ditët e fundit. Steffen Kampeter, drejtues i Shoqatës Federale të Punëdhënësve Gjermanë tha:

Një vështrim nga Franca na mëson se ku të çon kjo, nëse futesh në rrugë të gabuar!

Por politologu, Wolfgang Schroeder e kundërshton:

Këtu bëhet fjalë për sindikata të përgjegjeshme që bëjnë thirrje për grevë të kufizuar në kohë, mundësisht shpejt, mundësisht në mënyrë efektive për të arritur një marrëdhënie tarifash. Greva nuk ndjek qëllime politike, por kërkon arritjen e një marrëveshjeje.