Bota

Këshilli i Sigurimit pritet të votojë për rezolutën amerikane për armëpushim në Gaza!

Pasi vazhdimisht kanë bllokuar thirrjet për armëpushim në Gazë, sot Shtetet e Bashkuara do të dorëzojnë një draft-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që bën thirrje për “armëpushim të menjëhershëm”. Kjo në kohën kur Rusia po shtyn përpara kërkesa edhe më konkrete për paqe.

Që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit, vazhdimisht, Amerika ka përdorur veton në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar rezolutat e propozuara e që bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.

Pas vetos së fundit të vendosur nga Uashingtoni në fund të shkurtit, zyrtarët amerikanë kanë negociuar për një tekst alternativ të një drafti, duke u përqendruar në mbështetjen e përpjekjeve diplomatike që po zhvillohen për arritjen e një armëpushimi gjashtëjavor në këmbim të lirimit të pengjeve.

Në versionin e fundit, të cilin e ka parë AFP-ja, theksohet “nevoja për një armëpushim të menjëhershëm e të qëndrueshëm për të mbrojtur civilët, lejimi i dërgimit të ndihmës thelbësore humanitare dhe lehtësimi i vuajtjes”.

Në tekst bëhet thirrje edhe për mbështetjen “e përpjekjeve diplomatike për të arritur një armëpushim në lidhje me lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura”. Të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se rezoluta e fundit dërgon “sinjal të fuqishëm”.

Dokumenti bën thirrje për armëpushim të lidhur me lirimin e të gjitha pengjeve dhe ne shpresojmë shumë që shtetet do ta mbështesin.

Në tekstin e rezolutës, nuk përdoret qartazi termi “bëjmë thirrje”, por aty thuhet se një armëpushim është imperativ dhe sipas Rusisë, “ky është formulim i dobët”.

Ne nuk jemi të kënaqur me asgjë që nuk bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, tha zv.ambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy.

Sipas burimeve diplomatike të AFP-së, Amerika ka vota të mjaftueshme për të kaluar draft-rezolutën (të paktën 9 nga 15 anëtarë të Këshillit), por ekziston mundësia që Rusia të vendosë veto. Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield u shpreh “optimiste” se rezoluta do të miratohet.

Përveç armëpushimit, në tekst “hidhet poshtë çdo përpjekje për ndryshime demografike apo territoriale në Gaza” dhe po ashtu dënohen “të gjitha aktet e terrorizmit, përfshirë sulmet e Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit”.

Nëse miratohet, kjo do të ishte hera e parë që Këshilli i Sigurimit në mënyrë specifike do të dënonte sulmet e Hamasit, gjatë të cilave u vranë rreth 1.200 persona, shumica civilë, si dhe u rrëmbyen afro 250 të tjerë.

Në kundërpërgjigje të sulmeve të Hamasit, Izraeli po kryen një ofensivë tokësore dhe ajrore në Gaza ku janë vrarë pothuajse 32 mijë persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor të udhëhequr nga Hamasi.

Dy rezoltua humanitare që janë miratuar në Këshillin e Sigurimit, por edhe ato në Asamblenë e Përgjithshme, nuk përmendën Hamasin, gjë që u kritikua nga Izraeli.