Bota

Këshilltari i Zelenskyt: Çdo zgjidhje e pasluftës duhet të përfshijë zonën e çmilitarizuar në Ukrainë!

Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak ka bërë thirrje që çdo zgjidhje e pasluftës të përfshijë një zonë të madhe të çmilitarizuar për të mbrojtur vendin e tij nga “agresioni” i ardhshëm rus.

Podolyak tha se rajoni prej 100-120 km duhet të vendoset brenda Rusisë përgjatë kufirit ukrainas.

Masa do të garantojë “siguri të vërtetë” për banorët dhe do t’i mbrojë ata nga bombardimet, tha ai.

Frika është rikthyer sërish tek ukrainasit, të cilët po përballen me një grup sulmesh ruse me raketa.

Menjëherë pas nisjes së shpërthimeve, qytetarët e Kievit, u strehuan në stacionet e metrosë, për të shpëtuar nga rreziku.

Të panikosur në turma hyjnë në  vendet e strehimit, deri në momentin që sirenat e alarmit do të ndalojnë.

 “Pashë një numër të caktuar shpërthimesh në qiell, prandaj erdha këtu me kolegët e mi”, tha një banor.

Nga ana tjetër rrugët e qytetit janë mbushur me copëza raketash të shkatërruara. Në ato zona lëvizja është shumë e madhe, nga ukrainasit që banojnë në kryeqytetin e goditur vazhdimisht.

Dëshmitarët okularë kanë deklaruar se kanë parë momente ku raketat po i afroheshin Kievit.

“Ata po tentonin të rrëzonin raketat si zakonisht, dhe njëra ra në rrugë, dëmtoi një makinë. Kam dëgjuar se njërës i është vënë flaka”, deklaroi një dëshmitar.

Prej disa ditësh Kievi është goditur nga sulmet me raketa, të cilat kanë shkaktuar dëme materiale. Por e goditur nuk ka qenë vetëm Kievi, por edhe qytetet të tjera të Ukrainës ku janë shënuar edhe viktima.