Bota

Kievi propozon vendosjen e mbrojtjes ajrore, Scholz i prerë: Ide e rrezikshme! NATO s’duhet të bëhet palë në luftë!

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka hedhur poshtë një propozim të paraqitur nga ish-shefi i NATO-s Anders Fogh Rasmussen dhe qeveria ukrainase për të krijuar një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë.

Komentet e tij erdhën pasi Rasmussen dhe zyrtarët e Kievit paraqitën një propozim që sugjeronte lidhjen e Kievit me NATO-n duke zbatuar një sistem të mbrojtjes ajrore mbi pjesën perëndimore të vendit.

Një veprim i tillë “do të mbronte NATO-n nga sulmet ruse me raketa dhe dron, por edhe civilët ukrainas dhe infrastrukturën ushtarake në një zonë të mirëpërcaktuar përgjegjësie brenda Ukrainës perëndimore” sipas Kievit.

Gjatë një fjalimi të fushatës për partinë e tij SPD në zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian, Scholz e quajti idenë si diçka të rrezikshme dhe shprehu zhgënjimin për këdo që ende po mendon të krijojë një “zonë të ndaluar fluturimi” mbi Ukrainë.

Kancelari këmbënguli se megjithëse është e rëndësishme të vazhdohet mbështetja e Kievit, as Gjermania, Europa apo NATO nuk duhet të bëhen palë në luftë dhe nuk duhet t’i kërkohet një gjë e tillë pasi një zhvillim i tillë mund të shkaktojë një “reagim të paparashikueshëm” nga presidenti rus Putin.