Art & Kulturë

“Kolibri“ nga Sandro Veronesi, romani emocionues i nevojës për të parë të ardhmen me shpresë dhe për të jetuar me gjallëri deri në fund!

“Kolibri“ nga Sandro Veronesi është një roman tejet i fuqishëm për forcën therëse të jetës, që magjeps dhe mallëngjen lexuesin. Ky roman është shpallur fitues i çmimit “Strega” në Itali. Vlen për tu përmendur se çmimi “Strega“  është çmimi letrar më prestigjioz italian i cili jepet që prej vitit 1947. Një udhëtim i bukur dhe bindës nëpër kohë, i treguar në një mori stilesh narrative, “Kolibri“  në vetvete është një histori vuajtjeje, lumturie, humbjeje, dashurie dhe shprese. Një roman emocionues për nevojën e madhe për të parë të ardhmen me shpresë dhe për të jetuar me gjallëri deri në fund! Kryevepra e Sandro Veronesit – është e pasur në dhe e mbushur me kthesa dhe zbulime interesante. Mund të themi se ky roman është një portret i ekzistencës njerëzore dhe peripecive që na shtyjnë përpara dhe që në fund na përcaktojnë se kush jemi në të vërtetë!

Rreth tij, Veronesi ndërton personazhe të tjera të paharrueshme, që banojnë në një arkitekturë letrare të përsosur. Një botë e tërë, në një kohë të lëngshme, që shtrihet nga fillimi i viteve shtatëdhjetë deri te një e ardhme e afërt dhe mjaft e zymtë, ku papritmas do të shkëlqejë fryti i qëndrueshmërisë së personazhit kryesor në libër, Marko Karrerës! Marko është “kolibri”, një njeri me një aftësi pothuajse të mbinatyrshme për të qëndruar i qetë mes kaosit të një bote që ndryshon vazhdimisht. Edhe pse jeta e tij është e mbushur me sfida emocionale nga vuajtja e vdekjes së motrës dhe mungesës së vëllait, kujdesi për prindërit e tij të moshuar si dhe rritja e mbesës së tij kur nëna e saj nuk është më e aftë. Në mesin e të gjitha vuajtjeve, Marko vazhdon me një stoicizëm fisnik. Ndërsa vitet kalojnë dhe harku i jetës së tij përkulet, Marko e gjen veten të mbushur me gëzim për të ardhmen, ndërsa stafeta kalon nga ai te brezi tjetër.